Pankarta politike pas fitores ndaj Anglisë, FIFA hap hetim ndaj Argjentinës

FIFA ka hapur një hetim disiplinor ndaj përfaqësueses së Argjentinës, pasi disa futbollistë shfaqën një pankartë me mesazh politik gjatë festimeve pas kualifikimit në finalen e Kupës së Botës. Kjo është hera e dytë në 12 vjet që organi qeverisës i futbollit shqyrton të njëjtin slogan të përdorur nga kombëtarja argjentinase.

Pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta të SHBA-së më 15 korrik, mbrojtësit Lisandro Martínez dhe Nicolás Otamendi, së bashku me Giovani Lo Celso, i cili nuk u aktivizua në ndeshje, shpalosën një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Ishujt Malvinas/Falkland janë argjentinas”), të cilën më pas e lanë në fushë.

Sipas FIFA-s, Komisioni i Pavarur Disiplinor po shqyrton raportet zyrtare të ndeshjes përpara se të vendosë nëse do të ndërmerren masa të mëtejshme. Organizata e cilësoi këtë si një procedurë standarde. Raportimet mbi origjinën e pankartës janë të ndryshme, megjithëse disa media kanë bërë të ditur se ajo iu dha lojtarëve nga tifozët pranë fushës.

Reagime të ashpra nga Britania

Qeveria britanike kërkoi ndërhyrjen e FIFA-s menjëherë pas incidentit.

“Trofeu i Kupës së Botës mund të mos jetë i yni, por Ishujt Falkland janë padyshim britanikë”, deklaroi një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer, duke theksuar se e ardhmja e ishujve duhet të përcaktohet nga vetë banorët e tyre.

Edhe ministri britanik për Biznesin, Peter Kyle, e cilësoi shfaqjen e pankartës si një “shkelje flagrante” të rregullave të FIFA-s dhe kërkoi një hetim të plotë, duke theksuar se politika nuk duhet të përzihet me futbollin.

Ndërkohë, Asambleja Legjislative e Ishujve Falkland i dërgoi një letër Komisionit Disiplinor të FIFA-s, duke argumentuar se pankarta përbënte një deklaratë të qartë politike mbi sovranitetin e ishujve.

Nuk është hera e parë

Kryetari i Asamblesë, Jack Ford, tha se anëtarët e institucionit ishin “të zhgënjyer, por fatkeqësisht jo të befasuar”. Ai shtoi se pas ndeshjes së 1/8-ave ndaj Egjiptit kishin qarkulluar video ku futbollistët argjentinas këndonin këngë për Ishujt Falkland në dhomat e zhveshjes, por FIFA nuk ndërmori asnjë veprim.

Në vitin 2014, FIFA gjobiti Federatën Argjentinase të Futbollit me 30 mijë franga zvicerane pasi lojtarët shfaqën të njëjtën pankartë para një ndeshjeje miqësore kundër Sllovenisë.

Një precedent i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2024, kur UEFA pezulloi për një ndeshje futbollistët spanjollë Rodri dhe Álvaro Morata, pasi drejtuan thirrjet “Gibraltar es español” (“Gjibraltari është spanjoll”) gjatë festimeve të Euro 2024 në Madrid.

Mund të ketë masa disiplinore

Lideri i Liberal Demokratëve në Britani, Ed Davey, kërkoi që lojtarët e përfshirë të mos lejohen të luajnë në finalen e 19 korrikut ndaj Spanjës në stadiumin “MetLife” në New Jersey.

Megjithatë, burime pranë FIFA-s bëjnë të ditur se nuk pritet një vendim disiplinor përpara zhvillimit të finales.

Nga ana tjetër, presidenti i Argjentinës, Javier Milei, mbrojti veprimin e futbollistëve, duke e cilësuar atë “plotësisht legjitim” dhe duke deklaruar se ai pasqyron ndjenjat e shumicës së argjentinasve, edhe pse pranoi se federata mund të përballet me një gjobë.

Mosmarrëveshja për Ishujt Falkland

Britania e Madhe administron Ishujt Falkland që prej vitit 1833. Në vitin 1982, Argjentina pushtoi arkipelagun, duke shkaktuar një luftë 74-ditore, ku humbën jetën 649 ushtarakë argjentinas, 255 ushtarakë britanikë dhe tre banorë të ishujve.

Në referendumin e vitit 2013, banorët e Falklandit votuan pothuajse unanimisht për të mbetur Territor Britanik Jashtë Mbretërisë së Bashkuar.

Së fundmi, edhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është vënë në diskutim, pasi në prill u publikua një e-mail i rrjedhur nga Pentagoni, ku përmendej mundësia e rishikimit të mbështetjes amerikane për disa territore evropiane jashtë kontinentit, mes tyre edhe Ishujt Falkland.