Atentat me 9 plumba ndaj Thimjo “Sandri” Rubatit në Sarandë, autorët u zhdukën në drejtim të plazheve

Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së premtes qytetin e Sarandës, ku shënjestër e sulmit ka qenë 50-vjeçari Thimjo Rubati, i njohur edhe me nofkën “Sandri”.

Sipas të dhënave paraprake, dy persona të maskuar dhe të pajisur me skafandra i janë afruar viktimës me një motomjet dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij. Dyshohet se janë qëlluar nëntë plumba me armë zjarri të tipit pistoletë, kalibër 9 mm.

Nga informacionet e deritanishme, autorët mendohet se kanë ardhur nga aksi rrugor Mit’hat Hoxha, në drejtim nga stadiumi drejt portit të Sarandës. Menjëherë pas të shtënave, ata kanë ndjekur të njëjtën rrugë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Hetuesit dyshojnë se autorët janë larguar më pas drejt zonës së plazheve pranë Baba Rexhepit dhe nuk përjashtohet mundësia që të kenë përdorur një skaf për t’u larguar nga qyteti. Motomjeti me të cilin lëviznin ende nuk është gjetur, ndërsa një nga pistat e hetimit është se ai është marrë me vete gjatë arratisjes.

Pavarësisht plagëve të marra, Rubati ka qenë i vetëdijshëm pas atentatit. Ai u ka deklaruar hetuesve se nuk ka mundur të identifikojë autorët, duke theksuar se nuk i ka njohur personat që qëlluan ndaj tij.

Ndërkohë, forcat e Policisë së Shtetit kanë zhvilluar kontrolle intensive gjatë gjithë natës në Sarandë dhe zonat përreth.