Irani ka rinisur sulmet ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, pas natës së shtatë radhazi të sulmeve ajrore amerikane që kishin në shënjestër objektiva ushtarake iraniane, përfshirë infrastrukturën logjistike. Përshkallëzimi i ri i konfliktit vjen vetëm një javë pasi dështoi armëpushimi i brishtë mes palëve.
Kuvajti ishte ndër vendet më të goditura. Autoritetet njoftuan se një impiant për shkripëzimin e ujit u godit gjatë sulmeve, ndërsa operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit u pezulluan për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga raketat dhe dronët.
Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se kishte goditur një qendër mbështetëse ushtarake amerikane në Kampin Arifjan, si dhe kishte shkatërruar një objekt radarik në bazën ajrore Ali Al Salem në Kuvajt.
Sipas mediave shtetërore iraniane, në Bahrein u sulmua një zonë në Bazën Ajrore Sheikh Isa, ku ndodheshin avionë luftarakë amerikanë, si dhe një qendër e të dhënave të inteligjencës.
Agjencia Reuters thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
“Nuk ekziston asnjë institucion ndërkombëtar që ta ndalë barbarinë e ushtrisë amerikane. Prandaj nuk kemi rrugë tjetër përveç urdhrit kuranor: ‘Kush ju sulmon, sulmojeni në të njëjtën mënyrë'”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare, e cila paralajmëroi aleatët e SHBA-së në rajon se sulme të tjera do të pasojnë.
Një ditë më parë, të dyja palët shënjestruan trafikun detar. SHBA-ja deklaroi se po zbatonte një bllokadë detare, ndërsa Irani tha se kishte goditur anije që kishin shkelur rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë.
Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 4% të premten, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se një muaj. Kjo situatë ka shtuar presionin politik ndaj presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa Partia Republikane përgatitet për zgjedhjet e Kongresit në muajin nëntor.
Uashingtoni dhe Teherani kanë vazhduar të testojnë kufijtë e përshkallëzimit të konfliktit që prej dështimit të armëpushimit javën e kaluar, duke rritur frikën për një rikthim në një luftë të hapur.
Objektivat civile po goditen gjithnjë e më shpesh, duke shtuar shqetësimet për shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Mediat iraniane raportuan se disa raketa goditën objekte energjetike dhe impiante të shkripëzimit të ujit në qytetin jugor Jask. Sipas agjencisë Tasnim, rreth 10 mijë banorë në 20 fshatra mbetën pa furnizim me ujë.
Edhe Ministria e Energjisë, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme e Kuvajtit konfirmoi se një central energjetik dhe një impiant për shkripëzimin e ujit u goditën nga sulmet iraniane. Ky ishte sulmi i dytë ndaj infrastrukturës së ujit në Kuvajt brenda dy ditësh.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se kishte përfunduar ditën e shtatë radhazi të operacioneve ushtarake, duke goditur objekte të mbikëqyrjes, infrastrukturë logjistike ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare të Iranit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu shqetësim për përshkallëzimin e konfliktit, veçanërisht për sulmet ndaj infrastrukturës civile në Iran dhe në rajon, bëri të ditur zëdhënësi i tij.
Mediat iraniane raportuan gjithashtu për sulme në provincën Hormozgan, pranë Ngushticës së Hormuzit. Televizioni shtetëror iranian njoftoi se tre persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën, ndërsa u dëmtuan dy ura dhe një tunel rrugor.
Një ditë më herët, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane kishin goditur të paktën pesë ura në jug të vendit. Shtatë persona u raportuan të vrarë në sulmet ndaj urave në portin Bandar Khamir, ku u godit edhe stacioni hekurudhor. Gjithashtu, u raportua për një sulm ndaj një aeroporti në Iranshahr.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se mund të urdhërojë sulme ajrore në shkallë të gjerë kundër infrastrukturës iraniane dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e një operacioni tokësor përgjatë bregdetit apo ishujve të Iranit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, operacionet në jug të Iranit synojnë t’i japin presidentit Trump më shumë opsione ushtarake. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një strategji e tillë mund ta shtyjë Iranin të godasë infrastrukturën jetike të vendeve të Gjirit ose të nxisë aleatët e tij në Jemen të intensifikojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq, duke rrezikuar furnizimin global me energji.