Raporti 2026 për Shtetin e së Drejtës: siguria e gazetarëve mbetet një provë e funksionimit të institucioneve në Shqipëri

Raporti 2026 i Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës – Kapitulli për situatën e shtetit të së drejtës në Shqipëri evidenton se liria e medias dhe siguria e gazetarëve vazhdojnë të përballen me dobësi të rëndësishme institucionale, ligjore dhe ekonomike.

Në shtyllën kushtuar pluralizmit dhe lirisë së medias, raporti vëren se gazetarët vijojnë të përballen me kërcënime verbale dhe fizike, intimidim, fushata denigruese dhe padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP. Këto gjetje tregojnë se presioni ndaj gazetarëve nuk kufizohet vetëm te incidentet e drejtpërdrejta, por lidhet me një mjedis më të gjerë, ku mjetet politike, ligjore, ekonomike dhe reputacionale mund të përdoren për të penguar kontrollin publik ndaj pushtetit.

Raporti evidenton gjithashtu shqetësime për pavarësinë e autoritetit rregullator të medias dhe transmetuesit publik, përqendrimin e pronësisë mediatike dhe ndikimin e interesave të biznesit me lidhje politike. Probleme mbeten edhe transparenca dhe drejtësia në shpërndarjen e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera publike, si dhe zbatimi efektiv i së drejtës së informimit.

Këto çështje nuk janë të ndara nga siguria e gazetarëve. Pavarësia editoriale dobësohet kur pronësia është e përqendruar, burimet publike shpërndahen pa kritere të qarta. Në të njëjtën mënyrë, kufizimi i aksesit në informacion e bën më të vështirë gazetarinë e bazuar në prova dhe rrit ekspozimin e gazetarëve ndaj presionit dhe sulmeve.

Raporti i referohet gjithashtu ndryshimeve ligjore që sollën dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes për kategorinë e “gazetarëve të regjistruar”. Ky zhvillim nuk përbën përmbushjen e angazhimit për dekriminalizimin e plotë të shpifjes. Mbrojtja e shprehjes në interes publik nuk duhet të varet nga një status profesional i përcaktuar ose i njohur nga shteti, veçanërisht në një mjedis ku gazetaria ushtrohet edhe nga gazetarë të pavarur, profesionistë të lirë, media digjitale dhe organizata të gazetarisë investigative.

Angazhimi për heqjen e plotë të dispozitave penale për shpifjen dhe përafrimin e legjislacionit civil me standardet evropiane mbetet pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Po aq i rëndësishëm është edhe përafrimi i plotë me standardet evropiane kundër padive SLAPP.

“Gjetjet e Raportit për Shtetin e së Drejtës tregojnë se siguria e gazetarëve nuk mund të trajtohet vetëm si çështje e mbrojtjes nga dhuna fizike. Ajo lidhet me pavarësinë e institucioneve, aksesin në informacion, kushtet ekonomike të medias dhe mundësinë e gazetarëve për të hetuar dhe kritikuar pushtetin politik apo ekonomik apo krimin e organizuar pa u përballur me intimidim, delegjitimim ose hakmarrje ligjore dhe ekonomike”, vlerëson SafeJournalists.

Raporti duhet të lexohet jo vetëm si një pasqyrë e gjendjes aktuale, por edhe si një standard për matjen e progresit të ardhshëm. Miratimi i ligjeve dhe krijimi i mekanizmave institucionalë janë të rëndësishëm, por testi i vërtetë i shtetit të së drejtës mbetet zbatimi i tyre në praktikë.

Përparimi do të matet nga mënyra se si hetohen kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, nëse paditë abuzive mund të neutralizohen në kohë, nëse institucionet e medias veprojnë në mënyrë të pavarur dhe nëse gazetarët mund të ushtrojnë rolin e tyre mbikëqyrës pa frikë nga pasojat personale apo profesionale.

Në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit në BE, besueshmëria e reformave në Shqipëri do të varet gjithnjë e më shumë nga aftësia e institucioneve për t’i kthyer angazhimet formale në mbrojtje të qëndrueshme për gazetarinë e pavarur dhe në interes publik.