Policia ka arrestuar një tjetër person të dyshuar për atentatin e ndodhur më 30 qershor në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë Brian Syzo. Në pranga ka rënë Edison Agolli, 22 vjeç, vëllai i autorit të dyshuar, Nikolla Agolli, i cili ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, 22-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në sulm së bashku me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë, në momentin kur u tentua të ekzekutohej me armë zjarri Brian Syzo.
Arrestimi i tij u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, pas disa javësh kërkime.
Ndaj Edison Agollit rëndon akuza për “vrasje me paramendim, e kryer për interes ose hakmarrje, e mbetur në tentativë, në bashkëpunim”.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ai dyshohet të jetë i përfshirë edhe në një episod tjetër që lidhet me këtë çështje. Sipas organit hetimor, Agolli akuzohet edhe për vendosjen e një kamere pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Drenovë, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të Brian Syzos.
Ndërkohë, policia ka ekzekutuar edhe një vendim gjyqësor ndaj vetë Brian Syzos. 35-vjeçari është arrestuar pasi Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec të vitit 2023, që e dënon atë me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ngjarja e 30 qershorit në Pogradec vijon të jetë objekt i hetimeve, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në atentat.