SPAK kërkon rrëzimin e 23 kërkesave të Ilir Beqajt: Janë të pabazuara në ligj

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkoi gjykatës të rrëzojë 23 kërkesat e paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke i cilësuar ato të pabazuara në ligj.

Në seancën gjyqësore, prokurori Edvin Kondili deklaroi se shumica e pretendimeve të Beqajt janë shqyrtuar dhe kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimeve paraprake, si edhe në seancën paraprake, ku gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim.

Sipas SPAK-ut, kërkesa e Beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës nuk mbështetet në ligj, pasi të gjitha veprimet procedurale janë miratuar nga gjyqtari i seancës paraprake.

Prokuroria kundërshtoi gjithashtu pretendimin e ish-ministrit se akuza për vjedhje duke shpërdoruar detyrën nuk provohet. Sipas prokurorit, i pandehuri nuk paraqet kërkesa konkrete, por ngre pyetje që tashmë kanë marrë përgjigje dhe që do të trajtohen edhe në konkluzionet përfundimtare të palëve.

Lidhur me kërkesën për përjashtimin e të dhënave elektronike të sekuestruara nga një kompjuter dhe pavlefshmërinë e akteve përkatëse, SPAK vlerësoi se të gjitha veprimet procedurale janë kryer në përputhje me ligjin.

Sa i përket kërkesës së 19-të, që lidhet me pavlefshmërinë e akuzës për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, prokuroria theksoi se vendimi për ngritjen e akuzës është i bazuar në ligj. Sipas saj, burimet e provës, faktet dhe vlera e dëmit të shkaktuar ndaj shtetit janë paraqitur në mënyrë të detajuar në vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake.

SPAK u ndal edhe te kërkesa e 20-të e Beqajt, e cila lidhet me mungesën e kontratës origjinale të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Prokuroria pranoi se kontrata origjinale nuk është gjetur në ministri, duke e cilësuar këtë si shkelje, por sqaroi se një kopje e njësuar është gjetur në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

Sipas SPAK-ut, mungesa e dokumentit origjinal nuk e bën të pavlefshme provën dhe për këtë arsye kërkoi rrëzimin edhe të kësaj kërkese të paraqitur nga Ilir Beqaj.