Lajm i keq për banorët, lajm i mirë për shanset elektorale të së djathtës ekstreme, shkruan The Economist
Vizitorit në Ingolstadt, një qytet i mesëm në Bavari, nuk i duhet shumë kohë për të kuptuar se ky është qyteti i Audit. Mjafton të shohë stendën e sigurimit shëndetësor të Audit pranë bashkisë, muzeun madhështor të prodhuesit të makinave apo reklamat për sezonin e tij të koncerteve verore, që nis këtë fundjavë.
Takoni një banor vendas dhe ka shumë gjasa që ai të punojë në fabrikën e Audit – kompania punëson 40,000 vetë këtu – ose të ketë një të afërm që punon aty. Suksesi i Audit e shndërroi Ingolstadtin nga një qytet i përgjumur me 30,000 banorë pas Luftës së Dytë Botërore, në një qytet me 145,000 banorë sot.
Por janë pikërisht vështirësitë e Audit, ku fitimet dhe numri i punonjësve po tkurren, ato që ndihmojnë të shpjegohet pse qyteti ka rënë në një krizë të thellë. Të ardhurat nga taksat mbi biznesin janë përgjysmuar brenda vetëm pak vitesh, kryesisht për shkak të problemeve të Audit dhe Volkswagen-it, kompanisë mëmë.
Presioni financiar është aq i madh, sa më herët këtë vit qeveria e Bavarisë së Sipërme refuzoi buxhetin e Ingolstadtit, duke i ndaluar qytetit të kryejë investime të reja. Projekte të rëndësishme, si rinovimi i ndërtesës së njohur brutaliste (stil arkitekturor) të teatrit të qytetit, janë pezulluar.
Nxënësit u detyruan të largoheshin nga një shkollë e rrënuar, sepse qyteti nuk kishte mundësi ta riparonte. “Audi është një bekim për qytetin tonë, por edhe një rrezik”, thotë kryebashkiaku Michael Kern.
Paqëndrueshmëria e financave bashkiake ka lidhur fatin e shumë qyteteve gjermane me bizneset lokale. Në kohë të mira, disa prej tyre notonin në para: një qytet pranë Stuttgartit, ku ndodhet një fabrikë e Daimlerit, i shtroi vendkalimet e këmbësorëve me mermer Carrara. Por kur industria teshtin, qytetet sëmuren – dhe tani problemi nuk kufizohet më vetëm te zonat postindustriale si Ruhr apo Saarland.
Qytete në Baden-Württemberg-un e pasur janë goditur rëndë nga vështirësitë e sektorit të automobilave. Problemet e Ludwigshafenit, një prej qyteteve më të zhytura në borxhe në Gjermani, janë problemet e BASF-it, gjigantit lokal të industrisë kimike.
Por edhe qytetet me një bazë ekonomike më të larmishme po përballen me një situatë alarmante. Pak prej tyre i kanë shpëtuar kurthit fiskal, ku të ardhurat nuk arrijnë të mbajnë ritmin me rritjen shpërthyese të shpenzimeve.
Një raport i ri i Fondacionit Bertelsmann tregon se vitin e kaluar, deficiti buxhetor i rreth 10 mijë bashkive gjermane arriti në një rekord prej 32 miliardë eurosh, duke u rritur me gati 30% vetëm brenda një viti. Pothuajse të gjitha presin që situata të përkeqësohet edhe më tej.
“Kjo është kriza më e rëndë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë”, thotë René Geissler, profesor i administratës publike në Universitetin Teknik të Shkencave të Aplikuara në Wildau.
Sipas tij, pas saj qëndrojnë tre faktorë kryesorë: inflacioni i lartë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit; rritja e kostove të personelit; dhe ligjet me kosto të lartë të miratuara nga Bundestagu, sidomos ato që lidhen me përfitimet për të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilat bashkitë janë të detyruara t’i zbatojnë.
Këto shpenzime të detyrueshme përbëjnë tashmë 80% të buxhetit të Ingolstadtit, duke e detyruar bashkinë të shkurtojë në mënyrë drastike shpenzimet që mund t’i vendosë vetë. Në qytetet më të varfra, presioni është edhe më i madh. Z. Geissler thotë se pret që bashkitë e goditura financiarisht të bëjnë “shkurtime që kalojnë pa u vënë re”, për të balancuar buxhetet e tyre.
Pasojat janë të dukshme kudo
Në Bayreuth është anuluar festa që do të shënonte 150-vjetorin e festivalit të parë të Richard Wagnerit. Në Berlin, bashkitë e zhytura në vështirësi financiare po hasin probleme në përballimin e pushtimit nga vemjet toksike me qime.
Ashtu si punonjësit që lënë peng bizhuteritë para ditës së pagës, disa qytete i janë drejtuar Kassenkredite – kredi afatshkurtra për mbulimin e mungesës së likuiditetit – për të paguar faturat e tyre. Ndërkohë, në mbarë Gjermaninë, shkollat, rrugët dhe palestrat sportive po degradojnë, pasi investimet kapitale janë frenuar ndjeshëm. Tashmë, mungesa e investimeve në nivel bashkiak ka arritur në një rekord prej 231 miliardë eurosh.
Duke deklaruar se ishte “tre minuta para mesnatës”, më 22 qershor, kryebashkiakë nga e gjithë Gjermania organizuan aktivitete publike për të sinjalizuar se kishin arritur në kufijtë e mundësive të tyre financiare. “Mund ta përballojmë këtë vit, por më pas shumë qytete do të jenë me shpatulla pas murit”, thotë Martin Wilhelm, drejtor i financave i Offenbachut, një qytet në periferi të Frankfurtit.
Cila është zgjidhja?
Bashkitë kërkojnë që qeveria federale t’i përmbahet parimit “kush vendos, paguan”, pra të financojë çdo ligj të ri, kostot e të cilit u bien bashkive. Ato që nuk kanë rezerva financiare kërkojnë gjithashtu 30 miliardë euro ndihmë afatshkurtër. Qeveria federale, e cila edhe vetë përballet me kufizime fiskale, deri tani ka ofruar shumë pak.
Megjithatë, sipas Henrik Scheller, ekspert i financave publike në Institutin Gjerman për Çështjet Urbane, situata është aq e rëndë sa ka shumë gjasa që ndihma të vijë më vonë gjatë këtij viti. Në të kundërt, paralajmëron ai, “mund të shohim një lloj revolte.”
Në Ingolstadt, kjo nuk duket ende e afërt. Por Michelle dhe Christian, një çift banorësh të qytetit, thonë se po vënë re shenja të vogla të degradimit, nga bibliotekat që kërkojnë donacione deri te një festival i qytetit, të cilit i është shkurtuar financimi. Gjetkë, shumëkush druhet se përkeqësimi i shërbimeve publike mund të rrisë mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
“Çdo çati shkolle që pikon dhe nuk riparohet për tre vjet është një pikë më shumë për populistët e djathtë”, thotë Marc Grandmontagne, drejtues i arsimit dhe kulturës në Ingolstadt. Ndoshta kjo do t’i detyrojë politikëbërësit në Berlin të veprojnë. Monitor