Rusia ka ndaluar eksportet e naftës diesel, në një përpjekje për të zbutur krizën në rritje të karburanteve, e shkaktuar nga sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike.
“Nga sot është vendosur ndalimi i eksporteve të naftës diesel,” deklaroi zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, gjatë një mbledhjeje qeveritare me presidentin Vladimir Putin të mërkurën. “Kjo do të na mundësojë të rrisim furnizimin e tregut të brendshëm gjatë muajit korrik.”
Muajt e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj sektorit energjetik rus, duke goditur veçanërisht rafineritë, depot dhe terminalet e naftës. Sulmet kanë shkaktuar mungesa karburanti dhe rritje të çmimeve në disa rajone të Rusisë dhe në territoret e pushtuara nga Moska, ku qytetarët janë detyruar të presin me orë të tëra në radhë në pikat e furnizimit për shkak të mungesës së karburantit.
Novak pranoi se situata mbetet “sfiduese” dhe se problemet në furnizimin e pikave të karburantit po shkaktojnë shqetësim te qytetarët.
Ai bëri të ditur se qeveria ka ndërmarrë edhe masa të tjera për të stabilizuar tregun, përfshirë rritjen në maksimum të kapaciteteve prodhuese të rafinerive ekzistuese, si edhe shkurtimin ose riplanifikimin e punimeve të mirëmbajtjes.
Sipas Kremlinit, ndalimi i eksporteve nuk do të zbatohet për dërgesat e naftës diesel që kryhen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare ekzistuese mes qeverive. Masa do të mbetet në fuqi deri më 31 korrik.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky publikoi të mërkurën pamje në rrjetet sociale që, sipas tij, tregojnë pasojat e një sulmi ukrainas ndaj rafinerisë së naftës në Saratov, në jugperëndim të Rusisë.
Drejtoria Kryesore e Inteligjencës së Ukrainës deklaroi se operacioni u krye në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë dhe rojet kufitare.
“Nga kjo rafineri furnizohet vazhdimisht ushtria ruse me karburant dhe ajo konsiderohet një nga objektet kryesore të përpunimit të naftës të shtetit agresor,” thuhet në deklaratën e inteligjencës ukrainase.
Në të njëjtën kohë, autoritetet lokale ukrainase njoftuan se pjesë të qytetit portual Kherson, në jug të Ukrainës, mbetën pa energji elektrike të enjten pas sulmeve ruse.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjatë natës 94 dronë dhe dy raketa balistike drejt territorit ukrainas. Mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë 72 prej dronëve, thanë autoritetet.