Fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes me Bashkimin Europian janë shkurtuar me 74% në aktin normativ të qershorit 2026, duke u kthyer në zërin kryesor që ka ulur financimin e huaj për investimet publike.
Sipas të dhënave të buxhetit të rishikuar, fondet për Planin e Rritjes zbresin nga 6.8 miliardë lekë në buxhetin fillestar në vetëm 1.79 miliardë lekë pas aktit normativ. Ulja është 5.01 miliardë lekë ose 74% e planit fillestar, duke treguar se qeveria nuk ka mundur të alokojë më shumë se 25 për qind të fondeve të BE -së këtë vit.
Në total, shpenzimet kapitale në buxhetin e rishikuar janë ulur nga 179.8 miliardë lekë në 176.2 miliardë lekë, me një shkurtim prej 3.6 miliardë lekësh, ose 2%, që po vjen si rrjedhojë e pamundësisë së qeverisë për të alokuar fondet e huaja për investime. Ky zë u ul nga 47 miliardë lekë në 42 miliardë lekë, me një reduktim prej 5 miliardë lekësh, ose 11%.
Për të kompensuar pjesërisht mungesën e fondeve të jashtme, qeveria ka rritur financimin e brendshëm për investimet. Ky zë shkon nga 126.8 miliardë lekë në 128.2 miliardë lekë, me një shtesë prej 1.35 miliardë lekësh, ose 1%.
Të dhënat tregojnë se problemi qëndron tek dobësia e institucioneve shqiptare në thithjen e financimeve të jashtme. Edhe pse qeveria shqiptare ka shtuar ekspertizën duke shtuar numrin e punonjësve në administratë dhe duke emëruar një ministër të re nga inteligjenca artificiale,, nuk po mundet të zbatoje kriteret e BE për fondet. Për pasojë, investimet kapitale në buxhetin e vitit 2026 janë rishikuar në ulje, ndërsa barra për financimin e tyre po zhvendoset më shumë drejt burimeve të brendshme.
Arsyet për dështimin e përdorimit të fondeve nga plani i rritjes lidhen me kushtet e paplotësuara dhe me zvarritjen e procedurave. Për programe si Plani i Rritjes i BE-së, disbursimi lidhet me përmbushjen e reformave të rena dakord me Komisionin Europian. Nëse këto nuk realizohen ose procesi i vlerësimit zgjatet, fondet nuk disbursohen.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, e ndarë në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi të buta. Përfitimi i këtyre fondeve është i lidhur ngushtë me zbatimin e reformave socio-ekonomike të dakorduara në Agjendat e Reformave të çdo vendi.
Shqipëria, përmes përkushtimit ndaj këtij procesi, ka siguruar akses të rëndësishëm në këtë instrument që synon konvergjencën me tregun e BE-së. Shqipëria përfitonte nga plan rreth 940 milionë euro ndërmjet 2024-2027. Monitor