Trump sulmon sërish Melonin në prag të samitit të NATO-s: Kam nevojë për urdhër mbrojtjeje

Një tjetër përplasje mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni ka shpërthyer në prag të samitit të NATO-s. Trump publikoi në platformën e tij Truth Social një fotografi të Melonit nga samiti i G7, të shoqëruar me mbishkrimin: “Kam nevojë për një urdhër mbrojtjeje”.

Postimi konsiderohet si një tjetër sulm ndaj kryeministres italiane, pas ditëve të tensionuara në marrëdhëniet mes Romës dhe Uashingtonit.

Menjëherë pas samitit të G7, Trump kishte deklaruar se Meloni i ishte lutur për të bërë një fotografi së bashku. Kryeministrja italiane iu përgjigj përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke deklaruar: “Unë dhe Italia nuk lutemi kurrë.”

Lëvizja e presidentit amerikan ka shtuar pasigurinë në prag të samitit të NATO-s, ku liderët e vendeve anëtare pritet të diskutojnë të ardhmen e aleancës në një periudhë tensionesh të shtuara ndërkombëtare.

Prej javësh, ekspertë dhe përfaqësues të qeverive kanë zhvilluar konsultime për të shmangur përplasjet mbi çështjen kryesore të samitit: rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, është shprehur se samiti është përgatitur për të zhvilluar punimet pa probleme dhe se angazhimet e vendeve anëtare do të respektohen.

Sipas tij, objektivi mbetet që vendet e NATO-s të investojnë deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Crosetto u shpreh se nuk pret vështirësi më të mëdha se ato të hasura në samitin e kaluar dhe parashikoi se takimi do të jetë relativisht i shkurtër.

Megjithatë, ai pranoi se ekziston një faktor i vështirë për t’u parashikuar: vetë Donald Trump.

Presidenti amerikan, i cili pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ka kritikuar vazhdimisht partnerët evropianë gjatë javëve të fundit, duke i akuzuar për mungesë bashkëpunimi në çështjet e sigurisë dhe konfliktit me Iranin.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka bërë thirrje vendeve anëtare që jo vetëm të rrisin buxhetet e mbrojtjes, por edhe t’i shndërrojnë investimet në kapacitete reale ushtarake dhe forca më të afta.