Prej 12 Qershorit, një urdhër absurd i Këshillit Bashkiak të Himarës po i sjell dëme të mëdha bizneseve në qytetin bregdetar, që kanë humbur një pjesë të madhe të klientëve të tyre.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit rrugët e Himarës në mbrëmje nuk janë më plot me turistë, për shkak se janë të detyruar që të shkojnë në destinacione të tjera, sepse në lokalet e Himarës ndalohet muzika pas orës 20:00.
Një urdhër i nxjerrë në mes të sezonit turistik, teksa ky vendim ka dalë mbi një VKM të qeverisë, që lejon muzikën deri në orën 23:00 gjatë javës, dhe deri në orën 24:00 në fundjavë.
Por, edhe pse reagimet kanë qenë të shumta që prej publikimit të lajmit nga Media Ditari, si dhe ankesave të bizneseve se po u largohen klientët, qeveria ka zgjedhur të heshtë dhe të lejojë Vangjel Tavon të zbatojë një urdhër të kundraligjshëm.
Ditët kalojnë dhe heshtja e të gjithëve vetëm po dëmton sezonin turistik dhe bizneset në Himarë, teksa Këshilli i Ministrave duket se ka prioritet të vetëm përçarjen e protestuesve nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
Në fund të sezonit, kur të bëhen llogaritë, ata që do ta pësojnë janë sipërmarrësit, që do t’u duhet të shtyjnë pjesën e mbetur të vitit me ato pak të ardhura që kanë fituar, vetëm sepse Bashkia Himarë nxorri një urdhër absurd dhe të kundraligjshëm.
Lexo edhe: RREGULLI I RI/ Vangjel Tavo i shpall luftë muzikës, vë në gjumë Himarën që në orën 20:00