GJKKO shpall të pafajshme Majlinda Bufin, rrëzohet akuza e SPAK

Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila ishte marrë e pandehur nga SPAK për veprën penale të “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila arsyetoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk u provua se Bufi kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakes me 1 vit e 6 muaj burg, me kërkesën që masa të konvertohej në shërbim prove për një periudhë dyvjeçare.

Çështja ndaj Bufit nisi pas një denoncimi të bërë publik në media, ku pretendohej se ajo kishte ushtruar ndikim ndaj një qytetari, duke i kërkuar të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos angazhohej me forca të tjera politike.

Majlinda Bufi i mohoi akuzat, duke deklaruar se nuk kishte ushtruar asnjë presion apo ndikim politik dhe se ishte e pafajshme.