Mrekulli pas tërmetit në Venezuelë: 3-vjeçari nxirret i gjallë nga rrënojat pas gjashtë ditësh

Një djalë trevjeçar është shpëtuar i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, në një operacion të realizuar nga ekipet jordaneze të kërkim-shpëtimit.

Fëmija, i identifikuar si Klieber Morán, u nxor nga rrënojat në shtetin La Guaira dhe më pas u transportua në spital, ku sipas autoriteteve gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme. Presidentja e përkohshme, Delcy Rodríguez, e cilësoi shpëtimin e tij si një “burim shprese për popullin venezuelian”.

Klieber po merr trajtim mjekësor në kryeqytetin Caracas. Sipas ekipit jordanez të mbrojtjes civile, fëmija mori ndihmën e parë menjëherë pas nxjerrjes nga rrënojat dhe shenjat jetësore të tij rezultojnë të mira.

Shpëtimi i 3-vjeçarit vjen përtej periudhës kritike prej 72 orësh pas një tërmeti, kohë gjatë së cilës ekspertët vlerësojnë se personat e bllokuar nën rrënoja kanë shanset më të mëdha për të mbijetuar.

Ndërkohë, bilanci i viktimave nga tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ka shkuar në 1.943 të vdekur, mbi 10 mijë të plagosur dhe dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas një vlerësimi paraprak të bazuar në të dhënat satelitore të NASA-s, rreth 58.870 ndërtesa janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar.

La Guaira mbetet një nga zonat më të goditura, ku banorët po përpiqen të vazhdojnë kërkimet edhe me forcat e tyre. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se dhjetëra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, strehim dhe ndihmë humanitare.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka bërë të ditur se mungesat e ushqimeve janë të përhapura, shërbimet bazë janë ndërprerë dhe komunikimet në La Guaira janë dëmtuar rëndë. Sipas organizatës, tensionet mes komuniteteve po shtohen për shkak të vështirësive në shpërndarjen e ndihmave.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin se sistemi shëndetësor ndodhet nën presion ekstrem, ndërsa ekziston rreziku i shpërthimit të sëmundjeve si fruthi dhe difteria, për shkak të nivelit të ulët të vaksinimit në zonat e prekura.