Protestuesit dorëzojnë në SPAK librin “The Albanian Files”, kërkojnë hetim dhe dorëheqjen e Ramës

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të martë përpara Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku dorëzuan librin “The Albanian Files”, të firmosur nga pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë.

Sipas organizatorëve, dorëzimi i librit synon t’i kërkojë SPAK-ut të verifikojë dhe hetojë pretendimet e ngritura në këtë botim, ndërsa ata e konsiderojnë përmbajtjen e tij si bazë për nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Rama. Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, derisa kjo kërkesë të plotësohet.

“The Albanian Files” është një botim rreth transformimit urban dhe arkitekturor të Shqipërisë gjatë dekadave të fundit.

Aktivistët pretendojnë se libri ngre dyshime për mënyrën e planifikimit dhe zhvillimit të qindra projekteve ndërtimore në vend, duke kërkuar që këto pretendime të hetohen nga organet e drejtësisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se libri nuk është vepër e tij dhe se kontributi i vetëm ka qenë shkrimi i parathënies, duke i cilësuar akuzat e ngritura mbi këtë botim si të pabazuara.