Kujtim Cakrani heq dorë nga mbrojtja e Ilir Metës në GJKKO: Humbi mirëbesimi reciprok!

Kujtim Cakrani nuk do të jetë më mbrojtësi ligjor i Ilir Metës në gjyqin e këtij të fundit në GJKKO.

Në një deklaratë publike, Studio Ligjore “Cakrani” bën të ditur se vendimi është marrë për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm mes palëve, një situatë që, sipas saj, u evidentua veçanërisht pas seancës së fundit gjyqësore.

Vendimi, thuhet më tej, pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive ndërsa nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë.

Njoftimi i studios Ligjore “Cakrani”

Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore “Cakrani” nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.

Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.

Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.

Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.

Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.