“Vrasësi i heshtur” godet Evropën, rriten viktimat nga temperaturat ekstreme

Vala e paprecedentë e të nxehtit që ka përfshirë Evropën që në fillim të verës mund të jetë përgjegjëse për qindra vdekje shtesë, sipas kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Temperaturat rekord u thyen sërish të dielën në disa vende të kontinentit, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Republikën Çeke, ndërsa i nxehti ekstrem vijon të zhvendoset drejt lindjes.

Në një postim në platformën X, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se që nga 21 qershori janë regjistruar mbi 1.300 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat e larta në Evropë.

“Goditja nga i nxehti shpesh quhet ‘vrasësi i heshtur’ dhe shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për temperatura të tilla”, u shpreh ai.

Të dielën në mëngjes, Ministria franceze e Shëndetësisë njoftoi se që nga e mërkura në vend janë regjistruar rreth 1.000 vdekje më shumë se sa pritej. Sipas autoriteteve, shumica e viktimave janë persona mbi moshën 65 vjeç, ndërsa është shënuar edhe një rritje prej 40% e numrit të njerëzve që kanë ndërruar jetë në banesat e tyre.

“Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale”, paralajmëroi Tedros.

Ai shtoi se miliona njerëz në të gjithë kontinentin po jetojnë nën temperatura ekstreme, qindra persona kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po përballen me ngarkesa të mëdha.

Gjermania regjistroi të dielën ditën më të nxehtë në historinë e saj për të tretën ditë radhazi. Sipas të dhënave paraprake, temperatura arriti në 41.7 gradë Celsius në lindje të vendit. Në stacionin meteorologjik të Coschen, pranë kufirit me Poloninë, termometri shënoi 41.7°C rreth orës 16:00 sipas orës lokale.

Edhe Republika Çeke vendosi rekord të ri për të dytën ditë radhazi, me 41.1°C të regjistruara në Doksany, në veri të Pragës. Instituti Meteorologjik çek (CHMI) bëri të ditur se kulmi i të nxehtit pritej të arrihej të dielën, ndërsa për zonat perëndimore parashikoheshin stuhi.

Rekord historik temperaturash u regjistrua edhe në Poloni, ku në qytetin Slubice temperatura arriti në 40.5°C.

Sipas OBSH-së, ndryshimet klimatike janë shkaku kryesor i këtyre fenomeneve ekstreme.

“Të nxitura nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, valët e të nxehtit që dikur ndodhnin një herë në brez po shndërrohen tashmë në një fenomen pothuajse vjetor”, tha Tedros.

Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të zbatojnë plane veprimi për mbrojtjen e shëndetit nga temperaturat ekstreme, në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimatike.

Temperaturat e larta kanë detyruar autoritetet në disa vende të marrin masa të jashtëzakonshme për të parandaluar pasojat shëndetësore.

Në Holandë, festivali i njohur muzikor Defqon.1 u anulua pas shpalljes së alarmit maksimal për vapën ekstreme.

Ndërkohë, në Paris autoritetet ndaluan konsumimin e alkoolit të blerë për t’u marrë me vete në hapësirat publike dhe anuluan marshimin e krenarisë, me qëllim lehtësimin e presionit mbi shërbimet e emergjencës. Ndalimi hyri në fuqi të premten në mesditë dhe zgjati deri të dielën në mëngjes.

Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nuñez, bëri të ditur se të paktën 74 persona janë mbytur që nga fillimi i valës së të nxehtit. Shumica e rasteve kanë ndodhur në lumenj, liqene dhe pellgje pa mbikëqyrje.

Meteorologët ia atribuojnë valën rekord të të nxehtit në muajin qershor fenomenit të njohur si “kupola e nxehtësisë” (heat dome).

Ky fenomen krijohet kur ajri zbret nga shtresat e sipërme të atmosferës, kompresohet dhe ngrohet ndërsa afrohet me sipërfaqen e tokës. Në të njëjtën kohë, ajri thahet, duke penguar formimin e reve, çka lejon rrezet e forta të diellit të ngrohin edhe më tej tokën.