Nga miqësi politike në përplasje publike: Çfarë ndodhi mes Melonit dhe Trumpit?

Një meme e krijuar me inteligjencë artificiale po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale në Itali. Në të shfaqet kryeministrja Giorgia Meloni duke bërë gjithçka që zakonisht lidhet me një ndarje të vështirë sentimentale.

Në një nga fotot e rreme ajo shfaqet me një model të ri flokësh; në të tjera, rezervon pushime për beqarë, stërvitet për një maratonë ose krijon një profil në një aplikacion njohjesh.

Asnjë prej këtyre imazheve nuk është real, por humori ka gjetur jehonë sepse pasqyron përkeqësimin e dukshëm të marrëdhënieve politike mes kryeministres italiane dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Ajo që dikur konsiderohej një nga aleancat më të forta mes Evropës dhe Shtëpisë së Bardhë është shndërruar në një seri përplasjesh publike, sulmesh verbale dhe fyerjesh personale.

Nga aleate e privilegjuar në marrëdhënie të tensionuara

Jo shumë kohë më parë, Meloni cilësohej si “gruaja që dinte të fliste me Trumpin”. Ajo ishte e vetmja lidere evropiane që mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Trumpit në janar të vitit 2025.

Në prill, ishte gjithashtu liderja e zgjedhur nga Bashkimi Evropian për të zhvilluar bisedime në Shtëpinë e Bardhë me synimin për të ulur tensionet mbi tarifat amerikane ndaj mallrave evropiane.

Për Melonin, e cila nisi karrierën politike në të djathtën postfashiste italiane dhe punoi për vite me radhë për të ndërtuar profilin e një konservatoreje të moderuar dhe të besueshme, afrimi me Trumpin ishte shumë më tepër sesa një marrëdhënie diplomatike. Ai përfaqësonte një vulë legjitimiteti në skenën ndërkombëtare.

Por karakteri i paparashikueshëm i presidentit amerikan ka vënë në provë këtë raport, duke dëmtuar besueshmërinë e Melonit si në Itali, ashtu edhe jashtë saj.

Përplasja për bazat ushtarake dhe Papën

Kriza e parë serioze shpërtheu në fund të marsit, kur Ministria italiane e Mbrojtjes refuzoi t’u lejonte avionëve ushtarakë amerikanë, me destinacion Lindjen e Mesme, të përdornin bazën e NATO-s në Sigonella, Sicili, pa miratimin e Parlamentit.

Pak javë më vonë tensionet u thelluan edhe më shumë.

Trump sulmoi Papa Leon XIV në rrjetin Truth Social për kritikat e tij ndaj luftës, duke e cilësuar atë “të dobët ndaj krimit”.

Meloni, e cila drejton një vend me traditë të fortë katolike, e quajti sulmin “të papranueshëm”.

Presidenti amerikan reagoi ashpër.

“Jam i zhgënjyer prej saj. Mendoja se kishte guxim, por gabova”, deklaroi ai për gazetën italiane Corriere della Sera.

“Sot ajo nuk është më e njëjta, as Italia nuk është më e njëjta.”

Nga pajtimi te një tjetër konflikt

Në samitin e G7 në Évian-les-Bains të Francës, në qershor, dukej se marrëdhëniet po normalizoheshin. Trump dhe Meloni u fotografuan duke biseduar gjatë në një divan, ndërsa zyrtarët italianë folën për një “sqarim” mes tyre.

Vetë Meloni deklaroi se atmosfera kishte qenë “shumë pozitive” dhe pa asnjë fërkim.

Por vetëm pak ditë më vonë gjithçka ndryshoi.

Në një intervistë telefonike për televizionin italian La7, Trump pretendoi se Meloni i ishte lutur për një fotografi gjatë samitit.

“Ajo e donte me çdo kusht një foto me mua. Nuk do ta kisha bërë, por më erdhi keq për të,” u shpreh ai.

Kryeministrja italiane reagoi menjëherë me një video në rrjetet sociale.

“Ky rrëfim është krejtësisht i sajuar. Nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet kështu me aleatët e tij. Mund të them vetëm se më vjen keq që nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit. Por një gjë duhet ta mbajë mend: as unë dhe as Italia nuk lypim.”

Pas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani anuloi një vizitë të planifikuar në Uashington.

Një tjetër debat për operacionet ushtarake

Një tjetër polemikë shpërtheu pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se rreth 500 avionë amerikanë ishin nisur nga bazat ushtarake në Itali në mbështetje të operacionit ushtarak kundër Iranit.

Ministria italiane e Mbrojtjes e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar “të pasaktë” dhe “plotësisht mashtrues”, duke sqaruar se Italia kishte autorizuar vetëm fluturime teknike dhe logjistike, jo operacione luftarake.

Më vonë, NATO sqaroi se deklaratat e Rutte-s kishin të bënin me respektimin e marrëveshjeve ekzistuese për përdorimin e bazave ushtarake.

Çfarë pritet tani?

Pas humbjes në referendumin kushtetues dhe me zgjedhjet që afrohen, Meloni përballet me sfida të rëndësishme politike.

Analistët pyesin se si do të ripozicionohet ajo në skenën ndërkombëtare, çfarë do të ndodhë me marrëdhëniet e saj me presidentin francez Emmanuel Macron dhe nëse është ende e mundur një pajtim me Trumpin.

Sipas analistit italian Gianni Riotta, përpjekja e Melonit për të qenë ura lidhëse mes Evropës dhe SHBA-së ka dështuar.

“Ajo u përpoq të kënaqte të dyja palët, si për Ukrainën ashtu edhe për tarifat tregtare. Por kur mbështeti Papën, Trump nuk e pranoi. Ai e sheh politikën vetëm në dy kampe: ose je me të, ose kundër tij.”

Megjithëse në qarqet diplomatike italiane askush nuk dëshiron një prishje të plotë të marrëdhënieve me Uashingtonin, testi i vërtetë pritet të jetë samiti i ardhshëm i NATO-s në Ankara, ku Trump dhe Meloni do të gjenden për herë të parë përballë njëri-tjetrit pas përplasjes së fundit.