Vapa ekstreme paralizon shërbimet në Europë, autoritetet japin alarmin

Një valë vdekjeprurëse të nxehti po vë nën presion spitalet, sistemet e transportit dhe shërbimet publike në të gjithë Europën, ndërsa autoritetet, nga Franca deri në Poloni, paralajmërojnë se kontinenti e ka gjithnjë e më të vështirë të përballojë ditë me temperatura përvëluese.

Sipas AFP-së, të paktën 101 milionë europianë kanë përjetuar temperatura mbi 35 gradë Celsius. Besohet se disa qindra persona kanë humbur jetën, mes tyre një fëmijë trevjeçar që u gjet i pajetë brenda një makine në Paris, si edhe persona që u mbytën teksa përpiqeshin të freskoheshin.

Temperaturat ekstreme kanë goditur veçanërisht rëndë sistemet shëndetësore. Në Francë, repartet e urgjencës kanë raportuar një rritje katërfish të vizitave për probleme të lidhura me të nxehtin, ndërsa rastet e arrestit kardiak janë shtuar ndjeshëm.

Shefi i Policisë së Parisit, Patrice Faure, deklaroi: “Po arrijmë në pikën e ngopjes së kapaciteteve spitalore. Numri i pacientëve që shtrohen në spital vazhdon të rritet.”

Autoritetet në kryeqytetin francez kanë ndërmarrë një masë të pazakontë, duke ndaluar shitjen e alkoolit në orët e mbrëmjes dhe konsumimin e tij në hapësirat publike gjatë fundjavës, ndërsa spitalet përballen me një fluks gjithnjë e më të madh pacientësh.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi i Ambulancës së Londrës njoftoi se të mërkurën regjistroi numrin më të lartë të thirrjeve për emergjenca që rrezikonin jetën brenda një dite të vetme, si pasojë e temperaturave ekstreme. Disa spitale të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) shpallën gjithashtu gjendje kritike pasi defektet në sistemet e ftohjes penguan funksionimin e pajisjeve mjekësore, sallave të operacionit dhe reparteve, duke shtuar presionin mbi shërbimet që po trajtojnë raste të goditjes nga të nxehtit, dehidratimit dhe pacientëve të moshuar.

Vala e të nxehtit po zhvendoset tani drejt Europës Lindore. Në Gjermani, ku temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë fundjavës, janë anuluar disa aktivitete në natyrë, ndërsa operatori hekurudhor Deutsche Bahn u ka rekomanduar qytetarëve të shmangin udhëtimet.

Edhe Polonia ka lëshuar paralajmërime, pasi pjesët perëndimore të vendit po përgatiten për temperatura po aq të rrezikshme.

Europa Jugore ka regjistruar tashmë një bilanc të rëndë. Sistemi spanjoll i monitorimit të vdekshmërisë, MoMo, njoftoi se 212 vdekje të regjistruara nga e diela deri të mërkurën mund të lidhen me temperaturat ekstreme, ndërsa mediat italiane raportuan pesë viktima, mes tyre punëtorë bujqësie dhe një ndërtues.

Shkencëtarët e grupit World Weather Attribution, në një studim të publikuar të premten, deklaruan se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor ishin “pa asnjë dyshim” përgjegjëse për intensitetin e valës rekord të të nxehtit në Britani, Francë, Spanjë dhe Zvicër. Sipas tyre, temperatura të tilla do të kishin qenë “praktikisht të pamundura” në muajin qershor 50 vjet më parë.

Kreu i klimës në OKB, Simon Stiell, u shpreh se kjo valë të nxehti “mban gjurmët e qarta të krizës klimatike”, duke paralajmëruar se fenomenet e nxehtësisë ekstreme do të vazhdojnë të përkeqësohen derisa njerëzimi të ndalojë djegien në shkallë të gjerë të qymyrit, naftës dhe gazit.