Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, mbi 235 të vdekur dhe më shumë se 4.300 të plagosur

Të paktën 235 persona kanë humbur jetën dhe mbi 4.300 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën veriun e Venezuelës, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë i vendit.

Ministri Carlos Alvarado tha se bilanci bazohet në të dhënat e mbledhura nga spitalet dhe pritet të rritet, pasi numri i viktimave është rishikuar disa herë që nga raportimi fillestar prej 32 të vdekurish. Gjithashtu, raportohet se dhjetëra mijëra persona rezultojnë të zhdukur, megjithëse ky numër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), fillimisht u regjistrua një tërmet me magnitudë 7.2, i ndjekur vetëm 39 sekonda më vonë nga një tjetër me magnitudë 7.5. Të dy lëkundjet kishin epiqendrën në shtetin perëndimor të Yaracuy dhe konsiderohen si tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.

Më e goditura ishte zona bregdetare e La Guaira, në veri të Karakasit, e cila u shpall zonë katastrofe. Rreth 200 ndërtesa janë cilësuar të pabanueshme, ndërsa të paktën 25 persona humbën jetën në kryeqytetin Karakas.

Tërmetet ndodhën gjatë një feste kombëtare, kur shumica e qytetarëve ndodheshin në shtëpitë e tyre. Mijëra të mbijetuar e kaluan natën në rrugë dhe sheshe, ndërsa organizata NetBlocks raportoi ndërprerje të gjera të internetit në të gjithë vendin.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, urdhëroi mbylljen e aeroportit kryesor të Karakasit, i cili pësoi dëmtime, si dhe pezullimin e mësimit dhe të aktiviteteve jo thelbësore.

Ajo njoftoi krijimin e një fondi fillestar prej 200 milionë dollarësh (176 milionë euro) për rindërtimin, në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ndërkohë, Bashkimi Evropian aktivizoi shërbimin satelitor Copernicus për hartëzimin e zonave të prekura dhe deklaroi se është i gatshëm të shtojë ndihmën humanitare.

Spanja po përgatit dërgimin e 54 pjesëtarëve të njësisë së emergjencave ushtarake, Holanda një ekip prej 60 specialistësh të kërkim-shpëtimit urban, ndërsa Zvicra do të dërgojë 80 ekspertë të shoqëruar nga qen shpëtimi. Gjermania ka ofruar gjashtë avionë ushtarakë për operacionet e ndihmës.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën solidaritet me popullin venezuelian, ndërsa Vatikani akordoi një ndihmë prej 100 mijë eurosh. Portugalia konfirmoi se një prej shtetasve të saj humbi jetën nga fatkeqësia.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara, me urdhër të presidentit Donald Trump, po dërgojnë ekipe elitare të kërkim-shpëtimit. Ndihmë kanë ofruar gjithashtu Brazili, Meksika, Kolumbia dhe Kina.

Nga ana tjetër, liderët e opozitës, Edmundo González dhe María Corina Machado, kërkuan që ndihmat emergjente të mbërrijnë drejtpërdrejt tek viktimat dhe të sigurohet akses pa pengesa në zonat më të goditura.

Sipas Komisionit Evropian, Bashkimi Evropian është donatori më i madh humanitar për Venezuelën, duke ofruar mbi 572 milionë euro ndihmë që nga viti 2016. Para tërmetit, rreth 7.9 milionë venezuelianë kishin nevojë për ndihmë humanitare.