AKU reagon pas helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, merret në pyetje administratorja e Sori-Al

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pasi një ditë më parë u helmuan 64 kursantë nga ushqimi i kompanisë së kateringut SORI-AL.

AKU bën me dije se ka ushtruar kontrolle si në Akademinë e Sigurisë, ashtu edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku përgatitej ushqimi nga subjekti SORI-AL, ku sipas së cilës u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion i rregullt.

Ndërkohë, janë marrë 14 mostra ushqimore (7 nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës), të cilat janë dërguar për analizim mikrobiologjik pranë Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Këtë të premte është marrë në pyetje administratorja e Sori-Al Alma Tafani, e cila ka deklaruar se ka bërë çdo ditë furnizimin me ushqim për studentët e Akademisë së Sigurisë, siç e parashikon kontrata. Ajo ka thënë se çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë sipas procedurave normale duke respektuar kushtet e higjenës.

Në pyetje gjithashtu janë marrë dhe studentët e helmuar. Deri në këtë fazë të hetimit, asnjë përson nuk është marrë në hetim sa i takon skandalit të dytë.