Mes protestave në Tiranë, Rama kërkon “fajtorë” edhe në radhët e veta

Në një takim për infrastrukturën digjitale me punonjës të administratës publike, kryeministri Edi Rama thumboi të mërkurën disa kryebashkiakë, që sipas tij janë bërë problem për komunitetin, pasi qëndrojnë në Tiranë. Ai e quajti këtë një shqetësim të përsëritur që ka ardhur prej komuniteteve të bashkive të ndryshme, kryesisht nga ata në juglindje të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund,” deklaroi Rama.

Teksa disa prej të pranishmëve në sallë nisën të qeshin, kryeministri shtoi në mënyrë ironike se po e mbyllte eventin me një buzëqeshje të ëmbël, që uronte të mos kthehej në një buzëqeshje të hidhur.

Këto kritika të kryeministrit vijnë në kohën kur mijëra qytetarë po protestojnë tashmë prej 25 ditësh në rrugët e Tiranës kundër qeverisë së tij dhe sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk mund të shihen të ndara nga kjo ngjarje.

Afrim Krasniqi, politolog dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike, i tha BIRN se në fakt Rama është duke kërkuar një “kokë turku” për t’u deleguar dështimet dhe kritikat për korrupsion dhe abuzim, në rast se protesta zgjerohet.

“Emrat e deleguar janë viktima ideale. Nuk kanë mbështetje në parti dhe as në publik, dhe mund të riciklohen në poste ekzekutive siç ndodhi me kryetarin e bashkisë Vlorë”, tha Krasniqi.

Ai shpjegoi për BIRN se ndryshe nga rasti kur penalizohen ministrat dhe Rama mban përgjegjësi, nëse penalizohen kryebashkiakët kryeministri i shmanget përgjegjësisë direkte dhe fiton kohë.

Përgjatë tre javëve të fundit, Rama i është përgjigjur presionit popullor të protestës maratonë me teknika të propagandës, duke i akuzuar protestuesit si të nxituar nga armiq të jashtëm të Shqipërisë, si grekët apo iranianët, nga metoda të pretenduara dizinformimi apo nga influencerat.

Me kritikat e fundit, Rama duket se është në kërkim edhe të “armiqve të brendshëm” për të shkarkuar fajin.

“Rama është në kërkim edhe të një fajtori të brendshëm, në këtë situatë kur ka popullin kundër”, tha Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Sipas Xhemollarit, kryeministri po vepron ngjashëm siç veproi në rastin e protestës studentore, kur gjeti armiq rektorët dhe dekanët për t’ua kundërvënë studentëve.

“Ai po kërkon të marrë përpara qytetarëve pozicionin e tij të përhershëm, që unë jam i mirë ndërsa ata që ju qeverisin të këqinj, kështu që do i kritikoj ose do i ndërroj, sepse nuk janë pranë halleve tuaja”, theksoi Rigels Xhemollari mbi qasjen aktuale të kryeministrit.

Sipas politologut Krasniqi, kjo kritikë e Ramës ndaj kryebashkiakëve nuk vjen si pasojë e një qasje reflektimi dhe korrektimi të sistemit piramidal të karrierës, por më shumë me nevojën për mobilizim partiak dhe rishpërndarjes të presionit të protestës.

Ai shtoi se në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2027, për Ramën tashmë nuk është më e rëndësishme të gjejë kryebashkiakë të zotët, por ata me pushtet politik.

“Në 2027, Rama nuk ka interes për kryetarë të aftë, por menaxherë të fortë politikë. Pra fokusi i tij është mbijetesa politike dhe jo reformimi i sistemit dhe decentralizimi,” tha Krasniqi.

“Madje në debatet për reformën e re territoriale është dobësuar kriteri ligjor që kryetari të jetë banor i zonës minimalisht 6 muaj para zgjedhjeve, siç ka qenë me ligjin aktual dhe është injoruar vazhdimisht,” përfundoi më tej ai. BIRN