Spiropali i përgjigjet “flakë për flakë Ramës”: Do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë, kur PS të jetë e pastër

Pas deklaratave të djeshme në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku kryeministri Rama sulmoi zërat brenda PS-së që flisnin për një “Shqipëri të Re”, ka ardhur edhe përgjigja e parë.

Ajo që është prekur nga deklarata e kreut të qeverisë është Elisa Spiropali, e cila nuk ka ngurruar t’i përgjigjet Ramës “flakë për flakë”.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thotë se do të ketë një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, por që kjo të ndodhi, duhet që Partia Socialiste të pastrohet e të mos ketë më smërçe, ndryshqe e pehlivanllëqe.

Postimi i Spiropalit:

Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.

Shqipërinë që duam të ndërtojmë, duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane.

Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.

Ta bëjmë Marëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin.