Pas rivlerësimit, rikthehet propozimi për dyfishim të taksës së shtëpive dhe 25% rritje për bizneset

Qeveria rikthen propozimin për dyfishimin e shkallës së taksës së shtëpive për qytetarët dhe rritjen deri me 25% të nivelit të taksës për ndërtesat që përdoren për aktivitet tregtar.

Shkalla e taksës që propozohet, si për shtëpitë dhe dyqanet në të njëjtat nivele, me ato të propozuara në draftin e vitit 2023. Edhe formula e taksimit mbetet e njëjtë, ku parashikohet që shtëpisë së parë t’i zbritet një vlerë e patatueshme. Por nga 4.5 mln lekë që u propozua në 2023 për Tiranën, në projektligjin e ri vlera e patatueshme rritet me 3.9 mln lekë. Pragu maksimal i patatueshëm për shtëpinë e parë propozohet 8.4 mln lekë.

“Neni 8, përcakton një zbritje nga vlera e banesës së parë të të gjithë individëve, në një shumë të barabartë me 50% të vlerës së banesës së parë, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i përcaktuar për 7 kategori të bashkive në shtojcën 1 të projektligjit (shih tabelën më poshtë).

Pragu maksimal i zbritjes në bashkinë e Tiranës që ka vlerat më të larta të banesave në vend është 8,400,000 lekë, për bashkitë në kategorinë e dytë është 4,750,000 lekë, për bashkitë në kategorinë e tretë është 3,550,000 lekë, për bashkitë në kategorinë e katërt është 2,800,000 lekë, për bashkitë në kategorinë e pestë është 2,050,000 lekë, për bashkitë në kategorinë e gjashtë është 1,450,000 lekë dhe për bashkitë në kategorinë e shtatë është 750,000 lekë”, theksohet në relacion.

Kjo do të thotë se nëse një shtëpi në Tiranë kushton 10 mln lekë, taksimi do të jetë për diferencën e mbetur nga zbritja e vlerës maksimale që është 8.4 mln lekë.

Pra 10 mln lekë – 8.4 mln lekë = 1,600,0000. Taksa e ndërtesës do të llogaritet mbi diferencën, pasi është zbritur pragu maksimal sipas shkallës së taksës që do të miratohet.

Me tepër me detyrim të taksës do të ngarkohen familjet që zotërojnë një shtëpi të dytë, pasi sipas formulës që propozon Ministria e Financave nuk do të ketë zbritje në vlerë të pataueshme.

Drafti i ri sjell një ndarje prej 7 kategori bashkie, së bashku me zbritjen maksimale që do të aplikohet në ato bashki, nga 4 kategori që u propozuan më parë.

Drafti i mëparshëm i propozuar në 2023, parashikonte në nenin 8 të tij një zbritje nga vlera e banesës së parë të gjithë individëve, në një shumë të barabartë me 50% të vlerës së banesës së parë, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i përcaktuar për 4 kategori të bashkive. Në Tiranë pragu maksimal i zbritshëm u propozua 4,5 milionë lekë.

Si do të ndryshojnë shkallët e taksës

Në draftin e propozuar rishtaz, nga Ministria e Financave, i publikuar për konsultimet publike propozohet dyfishim i nivelit të taksës për apartamentet dhe rritje deri 25% për ndërtesat tregtarë.

Aktualisht taksa e ndërtesës për banim është sa 0.05% e vlerës së pronës. Drafti propozon që për njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë “ndërtesa për banim’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,1% deri në 0,2%.

Për të gjitha njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë ‘ndërtesa për banim’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,1% deri në 0,2% (zero presje dy për qind);

Ndërsa për ndërtesat që përdoren për aktivitet tregtar aktualisht shkalla e taksës është 0.2% e vlerës së dyqanit. Drafti propozon rritje me 25% të shkallës maksimale të taksës, konkretisht propozohet që shkalla të variojë nga 0,15% deri në 0,25%.

Në të dyja rastet shkalla e taksës do të miratohen nga Këshillat Bashkiak brenda kufirit te miratuar nga qeveria.

Edhe në projektligjin e mëparshëm, i publikuar për konsultim publik në vitin 2023, parashikoj që për ndërtesat rezidenciale niveli i taksës të luhatej në vlerat nga 0,1% në 0,2% nga 0,05 që aktualisht zbatohet. Për ndërtesat tregtare u propozua nivel takse nga 0,15% në 0,25% nga 0.2% që është aktualisht dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale, u propozua një nivel takse 0,15% në 0,25%.

Kategoritë që përjashtohen

Ashtu si në 2023 ku edhe draft propozon përjashtim nga taksa e poasurive të paluajtshme për një sërë kategorish, si:

a) Pasuritë e paluajtshme shtetërore;

b) Pasuritë e paluajtshme fetare;

c) Ndërtesat e papërfunduara, që në 31 dhjetor të vitit, para vitit tatimor, janë duke u ndërtuar në përputhje dhe brenda afatit të ndërtimit, të përcaktuar në lejen e ndërtimit;

ç) Strukturat akomoduese, “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, së bashku me parcelën, pjesën takuese të parcelës ku ndodhet struktura akomoduese ose pjesën takuese të sipërfaqeve të përbashkëta në bashkëpronësi apo bashkë-posedim të detyrueshëm, në rastet kur struktura akomoduese është pjesë e një ndërtimi kolektiv. Përjashtimi i parashikuar për strukturat akomoduese zbatohet për një periudhë 10 (dhjetë)-vjeçare, dhe efektet e tij nisin nga viti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por në çdo rast, jo më vonë se 3 (tre) vjet nga viti kur është përfituar statusi special;

d) Banesat e deklaruara si vendbanim, në pronësi ose posedim të kryefamiljarëve, kur këta të fundit trajtohen me ndihmë ekonomike;

dh) Banesat e deklaruara si vendbanim, në pronësi ose posedim të kryefamiljarëve që përfitojnë vetëm pension pleqërie, pension invaliditeti apo pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë;

e) Banesat sociale në pronësinë e pushtetit vendor, si dhe banesat në pronësinë e pushtetit qendror dhe personave privatë, që në bazë të marrëveshjeve me Bashkitë, përdoren si banesa sociale;

ë) Pasuritë e paluajtshme në pronësi të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, që përdoren ekskluzivisht për ushtrimin e veprimtarisë së tyre zyrtare. Përjashtimi zbatohet vetëm në rastet kur shteti përkatës i siguron përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë trajtim të njëjtë, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi;

f) Infrastruktura lineare sipas përkufizimit të dhënë në nenin 3 të projektligjit;

g) Çdo pasuri e paluajtshme për të cilën parashikohet përjashtim nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme sipas dispozitave të ligjeve të tjera në fuqi.

Monitor