Ulsi Manja i dosjes “184” pretendon të shkojë “ma nalt” duke ofenduar deputetët e opozitës

Protesta e dhjetëra mijëra shqiptarëve çdo ditë në Tiranë ka bërë që socialistët të humbin kontrollin, duke filluar nga Edi Rama e deri te ushtarët e tij.

Pas Taulant Ballës që tenton ta fikë protestën me mesazhet që i “vijnë” pro ndërtimit në Zvërnec, humbja e kontrollit po shihet qartë edhe te Ulsi Manja, sidomos pasi deputetja Marjana Koçeku deklaroi shkëputjen nga PS dhe daljen si deputete e pavarur.

Manja, të cilin Rama e përdor për të ndryshuar ligjet sipas interesave të pushtetit, për të mbrojtur të korruptuarit, ditën e djeshme gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, të cilin e drejton me një arrogancë të madhe, arriti të fyejë një deputet të opozitës.

Gjatë debatit me deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kaprin, ish-ministri Manja e ofendoi duke i thënë “lëngaraq”, ndërsa më pas tentoi të justifikohet duke thënë se e kishte mikrofonin e fikur.

Por, pak rëndësi ka mikrofoni i fikur apo i ndezur. Duke ofenduar kundërshtarët politikë, Ulsi Manja kërkon që të shkojë “ma nalt” në karriget e pushtetit, pasi Rama e hoqi si ministër.

E pikërisht fjala “ma nalt” na sjell sërish në vëmendje dosjen “184”, në përgjimet e publikuara nga media gjermane “Bild”.

Në këtë dosje, Ulsi Manja del në përgjime të tjera duke folur me Robert Agën, ish-shefin e policisë së Dibrës, të cilit i thotë se ka synim që ta ngrejë në detyrë, pasi i kishte shërbyer Partisë Socialiste gjatë fushatës së zgjedhjeve.

Këto përgjime treguan përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Policisë në zgjedhje në kundërshtim me ligjin.

Dosja 184 u hetua fillimisht nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe përfshinte përgjime të shumta ku përmendeshin dyshime për blerje votash, presione ndaj votuesve dhe përdorim të administratës në funksion të fushatës elektorale.

Megjithëse përgjimet e publikuara shkaktuan përfshinë emra të zyrtarëve të lartë, dosja nuk prodhoi akuza ndaj figurave kryesore politike të përmendura në komunikime. Më pas, çështja u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Dibrës me argumentin e kompetencës territoriale.

Në fund, në gjykatë përfunduan vetëm disa persona të nivelit lokal, ndërsa pati dënime të lehta dhe me kusht për disa ish-zyrtarë.

Por, edhe pse figurat e rëndësishme politike shpëtuan nga drejtësia, kjo dosje mbetet një tregues i qartë se si mbahet në këmbë kjo qeveri, teksa protestat duket se janë shansi i gjithë shqiptarëve për të shpëtuar nga ky regjim.