Skënder Nika, 55-vjeçari i cili u dhunua së bashku me gruan e tij, Bardhe Nika në fshatin Arst të Fushë Arrëzit ka folur për mediat duke dhënë detaje rreth ngjarjes së rëndë.
55-vjeçari tregoi se 5 persona që i dhunuan, të paidentifikuar ende nga policia, u prezantuan si efektivë policie dhe njëri prej tyre mbante automatik, ndërsa të tjerët kishin shkopa druri.
Nika ka qenë duke u kthyer nga puna kur autorët me maska dhe veshje si të RENEA-s e kanë dhunuar. Më pas, ata kanë goditur edhe bashkëshorten e tij.
“Isha duke u kthyer nga puna nga HEC-i. Më kanë dalë pesë persona përpara dhe më thanë ndal Policia. Kam ndaluar ishin me maska dhe rroba të ngjashme me ato të RENEA-s. Njëri kishte automatik të tjerët shkopinj gome.
Nuk di çfarë ka ndodhur vetëm më kanë qëlluar. Dhe di që më kanë thënë një herë mos bërtit pastaj ka dalë gruaja dhe e kanë rrahur dhe atë.
Para katër ditësh kam pas një konflikt me një familje në fshat për dredhëza. Me të njëjtët kam pasur dhe 4 vite më parë, më kanë akuzuar se kam spiunuar.
Kam kërkuar ti betohem e kam bërë çdo gjë që nuk kam paditur e spiunuar asnjë por nuk kanë pranuar. I vetmi konflikt ky është”, thotë ai.
Paraprakisht dyshohet se çifti ka sinjalizuar policinë për një operacion antidrogë 3 javë më parë, ku blutë asgjësuan 3 parcela me kanabis. Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.