Qeveria britanike ka konfirmuar se do të vendosë një ndalim të plotë të aksesit në rrjetet sociale për të gjithë të rinjtë nën moshën 16 vjeç, në një lëvizje që konsiderohet ndër ndërhyrjet më të rëndësishme shtetërore në hapësirën digjitale në Britaninë e Madhe.
Duke folur në një konferencë për shtyp, kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se masa është e nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga efektet negative të rrjeteve sociale, përfshirë bullizmin, varësinë, problemet e shëndetit mendor dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të rrezikshme.
Sipas Starmer, platformat sociale janë projektuar qëllimisht për të krijuar varësi përmes mekanizmave si lëvizja e pafundme e përmbajtjes (infinite scrolling), duke i larguar fëmijët nga aktivitetet reale, miqësitë dhe zhvillimi i shëndetshëm.
Qeveria planifikon të paraqesë rregulloret përkatëse para Krishtlindjeve, ndërsa ndalimi pritet të hyjë në fuqi në pranverën e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, disa platforma të dedikuara për fëmijë, shërbimet edukative dhe produkte si YouTube Kids nuk do të përfshihen në këtë ndalim.
Nga ana tjetër, rrjetet kryesore sociale do të kenë detyrime ligjore për të penguar aksesin e përdoruesve nën 16 vjeç. Edhe pse qeveria nuk publikoi një listë të plotë të platformave që do të preken, Starmer la të kuptohet se masa do të zbatohet për rrjete të ngjashme me modelin australian, duke përfshirë gjigantë si Instagram, TikTok, Snapchat, Facebook dhe X.
Aplikacionet e komunikimit që përdoren edhe për rrjetëzim publik, si Reddit dhe Discord, nuk u përmendën në deklaratat zyrtare.
Kryeministri britanik e paraqiti nismën si një përpjekje për të ndryshuar normat shoqërore dhe mënyrën se si rriten fëmijët, duke folur për një “ndryshim kulturor” në marrëdhënien e brezit të ri me teknologjinë.
Megjithatë, vendimi ka ngjallur reagime të forta. Free Speech Union akuzoi qeverinë laburiste për standarde të dyfishta në rregullimin e fjalës së lirë në internet.
“Pse qeveria e Keir Starmer po përgatitet të ndalojë aksesin e të rinjve nën 16 vjeç në 10 platforma të mëdha sociale, përfshirë X, por jo në platforma me orientim të majtë si Bluesky?”, deklaroi organizata.
Nga ana tjetër, kritikët kanë ngritur shqetësime edhe për ndikimin që kjo masë mund të ketë mbi lirinë e shprehjes dhe fuqitë e ardhshme të qeverive për të kufizuar aksesin në platformat online.
I pyetur nëse ky vendim mund të krijojë precedent për kufizime të tjera politike në të ardhmen, Starmer e hodhi poshtë këtë krahasim, duke theksuar se iniciativa ka të bëjë ekskluzivisht me mbrojtjen e fëmijëve.
“Unë jam një mbështetës i madh i lirisë së shprehjes. Por dërgimi i imazheve seksualisht eksplicite tek fëmijët dhe nga fëmijët nuk është liri e shprehjes. Kjo është mbrojtje bazë,” deklaroi ai.