Trump dhe Irani shkëmbejnë kërcënime të reja pas përshkallëzimit të sulmeve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe zyrtarët e lartë iranianë kanë shkëmbyer kërcënime të reja për veprime të mëtejshme, pasi të dyja palët kryen sulme ndaj njëra-tjetrës.

Trump deklaroi se Teherani kishte marrë “shumë kohë për të negociuar një marrëveshje” dhe se tani “do të duhet të paguajë çmimin”, pa dhënë detaje konkrete. Ai tha se Irani ishte “mposhtur plotësisht” dhe se ishte “vetëm fjalë, pa veprime”.

Këto deklarata erdhën pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi më herët se vendi i tij “nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm apo kërcënim”, duke shtuar se SHBA-ja kishte pësuar “humbje në fushën e betejës”.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se goditën objektiva iraniane të mërkurën, pasi një helikopter i ushtrisë amerikane u rrëzua në Gjirin Persik. Në përgjigje, Irani ndërmori sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

Sipas Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), objektivat e goditura përfshinin sisteme iraniane të mbrojtjes ajrore, stacione të kontrollit tokësor dhe radarë pranë Ngushticës së Hormuzit.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte kryer sulme ndaj 21 objektivave në bazat amerikane në rajon, përfshirë një bazë në Bahrein dhe një tjetër në Jordani. Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit bëri të ditur se kishte interceptuar gjithashtu një sulm.

Në një postim në Truth Social të mërkurën, Trump shkroi: “Ushtria iraniane është në një gjendje tërësisht kaotike. Pjesë të mëdha të saj, si marina dhe forcat ajrore, pothuajse nuk ekzistojnë më. Ata janë mposhtur plotësisht.”

Ai shtoi: “Ata humbën shumë kohë duke negociuar një marrëveshje që do të kishte qenë shumë e favorshme për ta. Tani do të duhet të paguajnë çmimin.”

Deklaratat e Trump bien në kontrast me ato të së martës, kur ai u tha gazetarëve se SHBA-ja dhe Irani ndodheshin “në fazën përfundimtare të asaj që do të jetë një marrëveshje shumë, shumë e mirë”.

Po të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqai, akuzoi SHBA-në se po dëmtonte procesin diplomatik përmes “mesazheve kontradiktore, ndryshimeve të vazhdueshme të qëndrimeve dhe kërkesave, si dhe shkeljeve të përsëritura të armëpushimit”.

Ai theksoi se Irani duhet të rivlerësojë situatën aktuale, duke shtuar se çdo proces diplomatik kërkon një minimum stabiliteti për të qenë i suksesshëm.