Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar edhe njëherë tjetër kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, teksa thotë se miliona euro që bashkia kishte për arsimin, kanë kaluar si pagesa për inceneratorin që nuk ekziston dhe është nën sekuestro.
Meta deklaron se këshilltarët opozitarë në Bashkinë e Tiranës do të jenë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
“Kam vlerësimin më të mirë për grupin tonë të këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës , të cilët kanë arritur të bëhen një zë shumë i rëndësishëm në mbrojtje të interesit qytetar dhe në mënyrë krijuese, jam i sigurt që do ta thyejnë akoma më tej censurën që përpiqet të imponojë frika e një pushteti të korruptuar deri në palcë, i cili guxon dhe heq miliona euro të dedikuara dhe të miratuara në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për arsimin, për t’i kaluar tek inceneratori që nuk ekziston dhe që është nën sekuestro”, shprehet kreu i Partisë së Lirisë.