Tragjedi në operacionin policor në Maliq, vritet një efektiv i “Shqiponjave”, plagoset një tjetër

Një operacion policor për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë ka përfunduar në tragjedi mëngjesin e kësaj të enjteje në zonën e Lozhanit të Bashkisë Maliq, ku një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me një person të shumëkërkuar.

Sipas informacioneve paraprake, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq dhe atë të Korçës, kishin organizuar një operacion për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari, i shpallur në kërkim prej vitesh për vepra penale të lidhura me narkotikët.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 në malin e Bodenit, ku policia kishte lokalizuar një stan ku dyshohej se fshihej Braçellari. Pas thirrjeve të përsëritura për t’u dorëzuar, i shumëkërkuari ka refuzuar dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve të policisë.

Si pasojë e sulmit, humbi jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë DVP Korçë. Po ashtu, mbeti i plagosur inspektori Edison Adri, 36 vjeç, i cili ishte pjesë e të njëjtit repart.

Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën me armë zjarri për neutralizimin e autorit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë Violand Braçellari, i cili më pas u arrestua.

Ndërkohë, efektivi i plagosur Edison Adri është transportuar me helikopterin e ushtrisë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Ai fillimisht mori ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Korçës, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.