Kur pushteti ka vetëm një fytyrë

E keni vënë re sa herë ndizni televizorin dhe dëgjoni lajmet?

Politikë: Kryeministri Rama flet mbi reformat në Shqipëri për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ekonomi: Rama mbledh biznesmenët e ndërtimit dhe u jep ultimatum për pagesat e detyrimeve.

Bujqësi: Kryeministri mbledh fermerët dhe premton rritjen e mbështetjes për ta dhe subvencionimin e naftës.

Kulturë: Kreu i qeverisë viziton ekspozitën e një piktori të ri dhe jep mendimet e tij si një artist i vjetër.

Sport: Rama mbledh sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare dhe u uron fat.

Në një sistem normal, ministrat duhet të flasin për sektorët që drejtojnë, institucionet duhet të japin shpjegime për vendimet e tyre dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për punën që ka. Por sot, në Shqipëri, vëmendja përqendrohet te një person i vetëm: Edi Rama.

Nga ekonomia te drejtësia, nga turizmi te infrastruktura, nga investimet te sporti, pothuajse çdo debat publik kalon përmes kryeministrit.

Ai e di se kur do të anëtarësohemi në Bashkimin Europian, se çfarë do të bëhet me sistemin e taksave, se si do të funksionojë drejtësia, çfarë do të ndodhë me turizmin, me sportin dhe me të gjitha fushat e tjera.

Madje, sa herë zbulohet ndonjë skandal, është i pari që del për të reaguar, për të shpjeguar, për të justifikuar apo për të propaganduar. Shpeshherë ai sulmon edhe drejtësinë, pikërisht atë drejtësi që dikur premtoi se do të ishte e pavarur.

Ministrat e qeverisë shqiptare duken gjithnjë e më shumë si figurantë që zbatojnë urdhrat e shefit të tyre. Ata shfaqen në konferenca, firmosin dokumente, por rrallë dëgjohen të flasin për politikat që drejtojnë.

Për fatin e tyre të keq, shpesh bëhen edhe mburoja e skandaleve. Më pas ata largohen, zëvendësohen dhe harrohen, ndërsa në fund mbetet vetëm ai, kreu i qeverisë, Edi Rama.

Kjo të kujton një histori të vjetër të Nastradinit.

Thuhet se ai dërgoi disa të rinj të studionin në universitetet më të mira të botës. Kur u kthyen, mjekun e bëri ministër të bujqësisë, ekonomistin ministër të shëndetësisë, agronomin ministër të arsimit dhe secilin e vendosi në një fushë që nuk kishte lidhje me atë që kishte studiuar.

Të habitur, njerëzit e pyetën:

“Po pse i vendose në poste që nuk i njohin?”

Nastradini buzëqeshi dhe u përgjigj:

“Po t’i vendosja aty ku dinë, do t’i bënin punët mirë. E po i bënë punët mirë, ç’më donin mua pastaj?”

Sigurisht, kjo është vetëm një anekdotë, por tregon disa të vërteta që politika përpiqet t’i fshehë.

Sepse kur çdo vendim lidhet vetëm me një person, ministrat kthehen në pjesë të dekorit, duke bërë që çdo institucion që drejtojnë të humbasë peshën që ka dhe gjithçka të identifikohet me një njeri të vetëm.

Ky është një nga shqetësimet më të mëdha në Shqipëri.

Sepse një shtet i fortë nuk është ai ku një njeri flet për gjithçka. Një shtet i fortë është ai ku institucionet funksionojnë, ku ministrat mbajnë përgjegjësi për punën e tyre dhe ku drejtësia di kujt t’i kërkojë llogari.

Në fund, dilema është e madhe: Pas 45 viteve komunizëm, a po mësohemi sërish me idenë se shteti ka vetëm një fytyrë?