Kryetari i Mundësisë, Agron Shehaj, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për punimet në Zvërnec, duke kërkuar transparencë të plotë nga qeveria për pronësinë, investitorët dhe ligjshmërinë e projektit.
Shehaj tha se qytetarët kanë nevojë për përgjigje të qarta: kush po investon realisht në Zvërnec, nëse projekti prek një zonë të mbrojtur dhe nëse paratë që do të përdoren janë të pastra.
“Po na e thuaj ti atëherë cili është lajmi i vërtetë, sepse njerëzit duan të dinë. Duan të dinë kush po investon: Kushner apo Kastrati? Po investohet në një zonë të mbrojtur apo po investohet në zbatim të ligjit, në respekt të ligjit? Janë para të pastra apo janë para të pista siç kemi parë në këto 35 vjet në Shqipëri?”, u shpreh Shehaj.
Duke iu referuar deklaratës së Kryeministrit se bëhet fjalë për “investitorë seriozë”, Shehaj tha se qeveria nuk ka më besueshmëri për të dhënë garanci të tilla, pasi sipas tij, në raste të ngjashme, pas fjalës “investim” janë fshehur interesa oligarkike dhe klienteliste.
“Na thua pastaj: investitor serioz. Ku ka parë ndonjëherë Shqipëria investitorë seriozë? E ka parë te Manastiri Resort, ku zvogëluat Parkun e Butrintit për ta ndarë me njëri-tjetrin? Apo e kanë parë në Rrjoll, ku keni rrëmbyer pronën e të gjithë fshatarëve aty?”, tha Shehaj.
Sipas tij, qeveria duhet të ndalë fshehjen pas deklaratave të përgjithshme dhe të japë përgjigje konkrete për qytetarët.
“Mjaft u fshehët. Mos na flisni për investitorë seriozë, sepse jeni të pabesueshëm. E vetmja gjë që mund të bëni është t’u jepni përgjigje qytetarëve”, theksoi Shehaj.
Ai shtoi se për vite me radhë shqiptarët kanë parë se si pasuritë dhe zonat më të bukura të vendit janë shfrytëzuar nga njerëz të lidhur me pushtetin, politikanë të korruptuar dhe oligarkë.
“Qytetarët e vetmja gjë që kanë parë është se si Shqipërinë e kanë gëzuar miqtë e tu, politikanët e korruptuar dhe oligarkët e tu”, përfundoi Shehaj.