Presidenti rumun Nicuşor Dan ka shpallur konsullin rus në qytetin bregdetar juglindor të Konstancës “persona non grata” duke i kërkuar të largohet nga vendi, derisa edhe konsullata pritet të mbyllet.
Ky hap erdhi në përgjigje të një ndërhyrjeje me dron rus që dëmtoi një bllok apartamentesh në Galaçi, duke plagosur dy persona.
Duke folur pas një takimi të Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare, Dan tha se droni ishte pjesë e një “tufe” prej 43 dronësh që synonin objektiva në Ukrainë. Ai gjithashtu kritikoi disa politikanë rumunë për përpjekjen për të minimizuar përgjegjësinë e Rusisë për incidentin.
Dan theksoi se reagimi i përbashkët i aleatëve të NATO përbën një shfaqje të fortë solidariteti ndaj Rumanisë. Ai njoftoi gjithashtu se Aleanca do të zhvendosë një pjesë të sistemeve të saj të mbrojtjes ajrore në territorin rumun si një zgjidhje e përkohshme, deri në modernizimin e sistemeve vendase të mbrojtjes, proces që do të mbështetet edhe nga fondet e skemës europiane SAFE.
“Një pjesë e pajisjeve ka mbërritur tashmë, ndërsa të tjera pritet të mbërrijnë së shpejti. Në bisedën që pata me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, kërkova që procesi të përshpejtohet dhe ai ishte plotësisht dakord që këto pajisje të mbërrijnë në Rumani sa më shpejt”, deklaroi presidenti rumun.