Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, ka reaguar sot për udhëzimin e ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në QSUT.
Sipas zv.ministres udhëzuesi mbi trajtimin hormonal përbën një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik.
Udhëzuesi thotë Tomini, nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Në to përfshihen vetëm rekomandimet të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale sipas praktikave klinike.
“Ky udhëzues konsiderohet një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Ai orienton profesionistët shëndetësorë në procesin e rekomandimit apo referimit mbi terapinë hormonale për individët që janë të interesuar për këtë shërbim. Udhëzuesi mbështetet në praktikat dhe rekomandimet ndërkombëtare si dhe në vlerësimin e një ekipi multidisiplinar me specialist klinicist, profesionist psikosocial, specialit të shëndetit mendor.
Çdo rast vlerësohet individualisht nga ekipi multidisiplinar dhe nëse individi ka patologji të caktuara mund të përjashtohet nga ky udhëzim në varësi të vlerësimit klinik. Ky udhëzues ka karakter thjesht klinik dhe zbatohet në nivel universitar si strukturë referente për terapinë hormonale. Udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Në to përfshihen vetëm rekomandimet të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale sipas praktikave klinike.”, tha Tomini.