“Ne jemi bashkë”, protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup

Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, studentë nga Shqipëria e Kosova protestuan sot në Tiranë në mbështetje të studentëve në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë të drejtën për të realizuar provimet në gjuhën shqipe.

Protesta, e cila ishte paralajmëruar në rrjete sociale, nisi në sheshin “Skënderbej” ndërsa më pas studentët marshuan drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.

Kujtojmë se më herët studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kanë organizuar dy protesta, duke kërkuar që të plotësohen kërkesat e tyre për gjuhën shqipe.

Studentët në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, duke e akuzuar për refuzimin e kërkesës së tyre për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe.

Një prej studebtëve nga Maqedonia e Veriut nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi e respekt.

“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.