Irani nuk tërhiqet nga negociatat me SHBA-në: Nuk bëjmë kompromis për të drejtat tona

Negociatori kryesor i Iranit dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, deklaroi se Teherani nuk do të bëjë kompromis për të drejtat kombëtare në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, duke akuzuar Uashingtonin se nuk është një palë e ndershme në negociata.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Qalibaf i bëri komentet gjatë një takimi në Teheran me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, në kuadër të përpjekjeve rajonale për ndërmjetësim mes Iranit dhe SHBA-së pas javësh tensioni dhe konflikti ushtarak.

Pakistani po udhëheq një iniciativë diplomatike që synon ngushtimin e diferencave mes dy vendeve, ndërsa situata në rajon mbetet e brishtë. Luftimet e fundit kanë ndikuar edhe në ngushticën strategjike të Hormuzit, ku transporti detar vijon të jetë i kufizuar, duke shkaktuar luhatje në tregjet globale të energjisë.

Mediat iraniane raportuan gjithashtu se Munir zhvilloi takime edhe me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi. Në fokus të diskutimeve ishte një dokument me 14 pika i propozuar nga Irani, të cilin Teherani e konsideron bazën kryesore për negociatat.

Qalibaf theksoi se Irani do të vazhdojë të mbrojë “të drejtat legjitime”, si në fushën diplomatike ashtu edhe në atë ushtarake. Ai paralajmëroi se nëse SHBA “e rinis luftën në mënyrë të pamend”, pasojat do të jenë “më të ashpra dhe më të hidhura” se në fillim të konfliktit.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të premten se është shënuar njëfarë progresi drejt një marrëveshjeje, por se ende mbetet shumë punë për t’u bërë. Ndërkohë, Ministria e Jashtme iraniane ka insistuar se dallimet mes palëve mbeten të thella.

Pavarësisht javëve të konfliktit, Irani raportohet se ka ruajtur rezervat e uraniumit të pasuruar pranë nivelit të përdorimit ushtarak, si dhe kapacitetet raketore, dronët dhe rrjetin e aleatëve rajonalë, të cilat SHBA-ja dhe Izraeli synojnë t’i kufizojnë.