Salianji i përgjigjet Berishës: Je i pashpresë! Do t’i faktoj me prova reale sa ka qenë pjesëmarrja

Pas akuzave të Sali Berishës se është përfaqësuesi krimit, ka ardhur edhe përgjigja e Ervin Salianjit.

Ish-deputeti demokrat e akuzon Berishën se nga frika ka uzurpuar partinë dhe është në aleancë të hapur me kryeministrin Rama.

Ai thotë edhe se do ta faktojë me prova se sa ka qenë pjesëmarrja në zgjedhje, pasi Albana Vokshi deklaroi se mbi 11 mijë demokratë kanë votuar deri në mesditë.

Reagimi i Salianjit 

Pergjigje për Sali kolltukun;

për njeriun më e dhimbshme se humbja është poshtërimi, qesharakëzimi dhe përbuzja përmes talljes.

Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasesin e shpreses se qytetarëve për ndryshim!

Deri tani, në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë. Do t’i faktoj me prova reale sa ka qenë pjesëmarrja dhe si po përgatitesh ta manipulosh atë me shifra false.

Meqë e ke me qejf; Je i pashpresë. Frika nga gara të çoi në uzurpimin e Partisë Demokratike dhe në aleancë të hapur me Ramën për të forcuar regjimin Rama-Berisha. Demokratët nuk ta pranojnë më modelin e partisë private, ku votohet pa zgjedhje dhe përjashtohet kush mendon ndryshe.

Bashkë me demokratët do ta çmontojmë regjimin Rama-Berisha dhe do të rrëzojmë praktikat puniste të votimit farsë, që poshtërojnë pluralizmin dhe mbajnë peng opozitën shqiptare.

Falenderime pafund per qindra demokrate që me sjellin me foto fletet e votimit dhe mijëra te tjere qe e kane perbuzur farsen duke e bojkotuar!