Sali Berisha ka votuar në zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike, ku emri i tij është i vetëm në listë, pasi të gjithë kandidatët e tjerë u përjashtuan nga gara.
Ai e cilësoi procesin shembullor, teksa u premtoi demokratëve se do të përmbushë me përkushtim detyrimet e tij ndaj qëndrimit të tyre.
“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehim besimin ose shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo edhe kundër tij. Ftoj demokratët që ende nuk kanë votuar të përmbushin detyrimin e rëndësishëm statutor ndaj një procesi më demokratik që ekziston në disa parti moderne europiane dhe botërore. Sepse pjesa tjetër duartrokasin në sallë zgjedhjen e tyre.
Do të përmbush me përkushtim detyrimet e mia ndaj qëndrimit të tyre”, tha ai.
I pyetur mbi fotot e publikuara nga Ervin Salianji në të cilat demokratët kishin shkruar emrin e tij, Berisha e akuzoi atë si një përfaqësues të botës së krimit.
“Besoj se përpëlitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit, nuk mundet të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë vend kurrë në këtë parti. Ndarja jonë me botën e krimit, është ndarje me jetë e vdekje, askush nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqinë e krimit”, u shpreh Berisha.