Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur Birçe Hasko, luajti në mbi 30 filma

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin “popullor” të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.

Gjatë karrierës së tij interpretoi mbi 12 role në teatër, ndërsa një nga rolet më të realizuara mbetet ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços. Në kinematografi debutoi në vitin 1971 me rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”, ndërsa gjatë jetës artistike luajti në më shumë se 30 filma, duke lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare.

Ai lindi në fshatin Dukat, në rrethin e Vlorës, më 15 mars 1942. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”. Pas përfundimit të saj, punoi për disa vite si mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Amanikaj, Nivicë të rrethit të Tepelenës dhe Poro të rrethit të Vlorës, deri në vitin 1965.

Më pas ndoqi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965-1969). Pas diplomimit, nga viti 1969 e në vijim, ai u angazhua si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve, ku më vonë shërbeu edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989-1994.

Në skenë dhe ekran, Hasko u dallua veçanërisht në role të karakterit komik dhe popullor.

Në teatër interpretoi figura si Milo Tafani në komedinë “Shi në plazh” (1983) nga Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” (1984) nga Ruzhdi Pulaha, si dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” (1984) nga Sulejman Pitarka.

Ai njihej për një natyrë të veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe “fshatarakë” të karaktereve i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një mënyrë loje origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku në role dytësore ndërtonte tipa të gjallë, me origjinalitet plastik dhe shprehje të fortë skenike.