Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar dërgimin e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, vetëm pak ditë pasi administrata e tij kishte pezulluar një rotacion të planifikuar ushtarak mes tensioneve me Gjermaninë lidhur me luftën në Iran.
Në një postim në rrjetin social Truth Social më 21 maj 2026, Trump deklaroi se vendimi vjen pas zgjedhjes së presidentit të ri të Polonisë, Karol Nawrocki, të cilin ai e kishte mbështetur publikisht gjatë fushatës.
“Bazuar në zgjedhjen e suksesshme të presidentit të ri të Polonisë, Karol Nawrocki, të cilin pata kënaqësinë ta mbështes, dhe në marrëdhënien tonë me të, kam kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 5 mijë trupa shtesë në Poloni”, shkroi Trump.
Njoftimi erdhi pas një takimi në Uashington mes zyrtarëve të mbrojtjes të të dy vendeve, ku morën pjesë zv/ministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, dhe drejtori i planifikimit strategjik në Shtabin e Përgjithshëm amerikan, Thomas Curtis.
Tomczyk bëri të ditur se diskutimet u fokusuan te prania e trupave amerikane në Poloni, bashkëpunimi në industrinë ushtarake, teknologjitë e reja dhe forcimi i krahut lindor të NATO-s.
Ky zhvillim përbën një kthesë nga sinjalet e mëparshme të administratës amerikane. Vetëm dy ditë më parë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se vendosja e trupave ishte shtyrë për arsye “rutinë rotacioni”, duke mohuar se bëhej fjalë për ndëshkim ndaj Polonisë apo favorizim të Rusisë.
Javën e kaluar, Pentagoni kishte pezulluar dislokimin e rreth 4 mijë ushtarëve nga Brigada e 2-të e Blinduar e Divizionit të Parë të Kalorësisë drejt Polonisë, një vendim që sipas mediave amerikane kishte surprizuar edhe aleatët evropianë.
Ndërkohë, SHBA kishte paralajmëruar edhe tërheqjen e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania. Vendimi erdhi pas kritikave të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, ndaj mënyrës sesi Uashingtoni po menaxhon konfliktin me Iranin.
Merz akuzoi SHBA-në për mungesë strategjie në konflikt, ndërsa Trump iu përgjigj ashpër duke deklaruar se kancelari gjerman “nuk di çfarë flet”.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, përshëndeti vendimin e ri të Uashingtonit, duke e cilësuar atë si dëshmi të marrëdhënieve shumë të forta mes Polonisë dhe SHBA-së.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 80 mijë trupa të stacionuara në Evropë, nga të cilat afro 10 mijë ndodhen në Poloni. Administrata Trump po rishikon praninë ushtarake amerikane në kontinent, duke kërkuar që aleatët e NATO-s të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.