Marrëveshja e dytë PS-PD në pak ditë! Miratohen ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, fuqizohet Komisioni “Xhafaj”

Në vetëm pak ditë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë vendosur të bashkojnë votat në dy seancat e fundit plenare.

Pas votimit të përbashkët për rezolutën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dje ka ardhur edhe konsensusi tjetër mes dy partive të mëdha, për miratimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit.

Ndryshimet prekin funksionimin e seancave plenare, komisioneve parlamentare, masat disiplinore ndaj deputetëve dhe raportimin e institucioneve të pavarura. 

Sipas ndryshimeve të miratuara, institucionet e pavarura do të vijojnë të raportojnë fillimisht në komisionet përgjegjëse parlamentare. Këto komisione do të hartojnë një projektrezolutë me vlerësime dhe rekomandime për vitin pasardhës, e cila më pas do t’i kalojë Komisionit të Posaçëm të njohur si Komisioni “Xhafaj”. Ky komision do të shqyrtojë dokumentin, do të verifikojë zbatimin e rekomandimeve të mëparshme dhe më pas do ta dërgojë për miratim në seancë plenare.

Mes dakordësive është edhe vendimi që seancat plenare të mos zgjasin më pas orës 22:00. Në rast se debati nuk përfundon, seanca do të ndërpritet dhe do të vijojë ditën tjetër.

Rregullorja e re përcakton edhe mënyrën e raportimit të drejtuesve të institucioneve të pavarura. Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, kreu i KLP-së, drejtuesi i KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kryetari i KLSH-së do të kenë deri në 10 minuta kohë për të paraqitur përmbledhjen e raportit të tyre në seancë plenare. Pas prezantimit, ata do t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve, të cilat duhet të dorëzohen me shkrim të paktën 24 orë përpara seancës.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me projektligjet e integrimit europian. Socialistët hoqën dorë nga ideja që ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian të miratoheshin automatikisht me procedurë të përshpejtuar brenda një jave. Në draftin përfundimtar është përcaktuar që këto projektligje do të shqyrtohen me procedurë normale, përveç rasteve kur qeveria argumenton nevojën për përshpejtim.