Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka deklaruar nga Parlamenti Europian se disa eurodeputetë dhe zyrtarë të lartë europianë kanë shprehur shqetësim për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, veçanërisht lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e drejtësisë.
Në një lidhje direkte për Neës24, Kapri tha se gjatë takimeve të zhvilluara në ditët e fundit në Strasburg, reagime të forta ka shkaktuar votimi në Kuvend kundër heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kapri u shpreh se partnerët europianë e shohin si problematik çdo ndërhyrje politike që perceptohet si mbrojtje ndaj zyrtarëve të lartë nën akuza apo hetim, duke theksuar se forcimi i institucioneve të drejtësisë mbetet kusht kyç për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Në takimet që kam zhvilluar kanë shprehur shqetësim për luftën ndaj korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Për shumë nga ata eurodeputetë dhe zyrtarë që kam folur ka qenë e papranueshme votimi kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut në Parlament”, u shpreh Kapri.
Deputeti i Partisë Mundësia akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po dëmton procesin e integrimit europian të vendit përmes mbrojtjes politike të Ballukut në Kuvend.
Kapri theksoi se mbështetja e partnerëve europianë për Shqipërinë vazhdon të mbetet e fortë, por paralajmëroi se mbrojtja e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion mund të krijojë pengesa serioze në procesin e negociatave me BE-në.
“Ne kemi hapur negociatat, por sfida është mbyllja e tyre. Nëse vazhdojmë të japim sinjale të gabuara në Bruksel duke mbrojtur të korruptuarit, integrimi ynë vendoset në rrezik”, përfundoi Kapri.