Përgjimet për drogë ‘fundosin’ oficerin e policisë në Sarandë, dorëzoi në Prokurori edhe provat kundër vetes

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ndalimin e oficerit të policisë Edmond Ruçi në Sarandë, i dyshuar për korrupsion pasiv.

Burime për mediat bëjnë me dije se Ruçi, kishte siguruar informacione për përfshirjen e dy vëllezërve në aktivitete të paligjshme dhe pas nisjes së hetimeve, kërkoi autorizim nga prokuroria për përgjimin e tyre.

Pas realizimit të përgjimit, Ruçi është takuar me nënën e dy vëllezërve, duke kërkuar që djemtë e saj t’i jepnin lekë në mënyrë që të mbyllte procedimin penal.

Nëna kishte telefonuar djemtë për t’i treguar bisedën me policin dhe komunikimet u regjistruan.

Por gjithçka u fundos nga vetë përgjimet e kryera nga oficeri, pasi kur Edmond Ruçi dorëzoi materialet në Prokurori, pa kuptuar dorëzoi edhe provat kundër vetes, duke mos i hequr ato nga materialet.

Njoftim i Prokurorisë Sarandë për rastin

Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv

Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.

Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.

Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në vepime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim per veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” prashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.