Në ditën e dytë të bllokimit të hyrjes së punonjësve në kantierin e aeroportit të Vlorës, situata vijon të mbetet e tensionuar.
Siguria private e ‘2A Group’ nuk lejon hyrjen brenda në kantier të nënkontraktorëve të Behgjet Pacollit për të vijuar me punimet në aeroport.
Tensione janë regjistruar dhe mes punonjësve të Pacollit dhe forcave të policisë. Këta të fundit kanë kërkuar nga ‘Mabco’ vërtetim gjykate ku u lejohet vijimi i punimeve në Aeroportin e Vlorës.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga palët për mënyrën se si do të zgjidhet konflikti dhe kur pritet rifillimi normal i punimeve në aeroportin e Vlorës.
Një prej punonjësve të firmës ‘Alb-SabInvestmet’ të nënkontraktuar nga ‘Mabco’ e Behgjet Pacollit, që ka përsipër disa punime në terminal shprehet se po pengohen të përfundojnë punimet e tyre dhe të marrin mjetet e punës.
“Administratori i kompanisë time “Alb-Sab Investment” ka bërë punime këtu me gips, bojë dhe pllaka, punime dekorative dhe veshje muresh. Jemi njoftuar dje dhe kemi ardhur për punë, por nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda objektit.
Ne këtu kemi ende veglat e punës dhe kemi punën pa përfunduar. Nuk e kuptoj arsyen se çfarë ka ndodhur me 2 kompanitë, por nuk është e drejtë të na ndalohet hyrja brenda. Ne e kemi marrëveshjen në Mabco dhe çdo gjë ka shkuar mirë deri dje. Dje, pa asnjë informacion, jemi vënë në dijeni se nuk lejohemi të hyjmë brenda. Sot kemi ardhur të mbarojmë punimet, sepse për 10–15 ditë mbaron komplet aeroporti, janë punimet e fundit.
Ne e kishim kontratën në fund të prillit. Na janë bërë edhe më parë pengesa, por jo kaq të mëdha. Janë shumë si puna ime. Kemi qenë në përfundim, kanë ngelur vetëm gjëra të vogla. Kam të gjitha veglat dhe tani po përpiqem të shkoj të marr veglat e punës”, tha Florian Hadroj.
Deklarata e “Mabco Constructions S.A.”
Sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme me VETËGJYQËSI të Valon Ademit.
Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.
Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valin Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier.
Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi.
Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni.
Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.
Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar.
Ekipi ynë ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco.
Ne presim nga autoritetet kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për:
të ndalojnë këtë vetëgjyqësi kriminale;
të garantojnë aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve tanë në kantier;
të mbajnë të paprekur terminalin dhe veprën e ndërtuar nga Mabco.
Mabco Constructions S.A. kërkon të besojë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jo në VETËGJYQËSI kriminale të Valon Ademit. Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin kombëtar të projektit.