Ikën Sylvinho, Rolando Maran trajnieri i ri i Kombëtares Shqiptare

Rolando Maran do të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me trajnerin që drejtoi për 3 vite kombëtaren shqiptare, Sylvinho.

Braziliani ishte në përfundim të kontratës së tij, e cila skadonte në fund të muajit qershor. Pavarësisht diskutimeve për një rinovim të mundshëm të kontratës, duket se palët kanë rënë dakord që të mos ketë një vazhdimësi.

Bashkë me Sylvinhon pritet të largohen edhe pjesëtarët e stafit të tij teknik, ndihmësit Doriva dhe Pablo Zabaleta.

Prezantimi i Maran u bë paraditen e sotme nga Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Për Maran është hera e parë që merr drejtimin e një kombëtareje. Më herët Maran ka qenë edhe trajneri i Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses në Itali. 

Ndërkohë Sylvinho iu bashkua kombëtares shqiptare në fillim të vitit 2023 dhe në vitin e tij të parë, arriti kualifikimin historik në Euro 2024, duke e mbyllur grupin kualifikues në vendin e parë.

Në kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria përfundoi e dyta pas Anglisë, duke lënë pas Serbinë dhe duke siguruar pjesëmarrjen në fazën “play-off”, ku u eliminua nga Polonia me rezultatin 2-1 në Varshavë.