EMRAT/ Favorizuan ndërtimet pa leje, kush janë drejtuesit e Policisë Sarandë që u arrestuan

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, nënkomisari i Krimeve të Sarandës, Andi Duro dhe 2 specialistë të policisë janë prangosur në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil.

Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:

Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;

Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;

Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;

Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.

Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithëm i Policisë, Skënder Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në  Komisariatin e Policisë Sarandë, komisar B.T, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.