Skandal në Gjermani/ Pediatri akuzohet për 130 raste abuzimi seksual ndaj fëmijëve

Prokurorët gjermanë kanë ngritur akuza ndaj një pediatri për 130 raste të abuzimit seksual dhe përdhunimit të fëmijëve, të kryera përgjatë më shumë se një dekade në spitale të landit Brandenburg, në lindje të Gjermanisë.

Prokuroria e Potsdamit njoftoi më 13 maj se akuzat përfshijnë abuzim seksual të rënduar ndaj të miturve dhe përdhunim. Sipas hetimeve, krimet dyshohet se janë kryer nga dhjetori i vitit 2013 deri në vitin 2025.

Shumica e rasteve dyshohet të kenë ndodhur gjatë kohës kur mjeku punonte në spitalet e Rathenow dhe Nauen, në perëndim të Berlinit, të administruara nga grupi spitalor “Havelland Kliniken”.

I dyshuari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik për shkak të ligjeve gjermane të privatësisë, ndodhet në paraburgim që prej arrestimit në nëntor 2025. Prokurorët kanë argumentuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Çështja doli në dritë në janar, pasi nëna e një pacienti të mitur depozitoi kallëzim penal, duke pretenduar se fëmija i saj ishte abuzuar gjatë një vizite në spitalin e Rathenow. Pas denoncimit, policia zhvilloi kontrolle dhe sekuestroi disa pajisje elektronike të ruajtjes së të dhënave.

Analiza e materialeve të sekuestruara çoi në zbulimin e viktimave të tjera të mundshme dhe zgjerimin e hetimeve, të cilat përfunduan me ngritjen e 130 akuzave. Numri i saktë i fëmijëve të prekur nuk është bërë publik.

Grupi “Havelland Kliniken” deklaroi se akuzat kanë tronditur besimin e pacientëve dhe njoftoi krijimin e një linje telefonike për personat që mund të kenë informacione mbi rastin. Gjithashtu, spitalet do të rishikojnë masat e sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve në klinikat e tyre.

Sipas mediave gjermane, në rastin e parë të raportuar në janar, ishte shkelur protokolli i spitalit që kërkon praninë e një personi të tretë gjatë ekzaminimeve pediatrike.

Gjykata rajonale e Potsdamit ende nuk ka marrë dosjen e plotë të çështjes dhe nuk ka caktuar një datë për nisjen e procesit gjyqësor.