Do të duhej të ishte një nga seancat më të rëndësishme të Kuvendit, pasi po flitet për raportin e Parlamentit Europian mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por, deputetët në Kuvend duket se nuk e kanë parë kaq të rëndësishme këtë temë, pasi pjesa dërrmuese e tyre kanë vendosur të largohen nga salla kur ka filluar mocioni me debat për këtë raport.
Të majtë e të djathtë, që flasin sa herë u intereson për anëtarësimin e vendit në BE, sot nuk denjuan as të qëndrojnë e të dëgjojnë njëri tjetrin mbi opinionet e tyre për një nga raportet më të rëndësishme të Parlamentit Europian.
Socialistët e kanë bërë rrugë që rinë në Kuvend vetëm në fillim të seancës dhe në fund të saj, kur votojnë me urdhër nga lart të miratojnë çdo ligj që vjen nga qeveria, ndërkohë që demokratët shkojnë në Kuvend vetëm kur kanë radhën për të folur, e më pas largohen nga salla.
Salla bosh e Kuvendit në seancë plenare është treguesi më i qartë se sa të interesuar janë vërtet deputetët tanë për integrimin dhe qytetarët.