Kryeministri Edi Rama vijon të mungojë në seancat plenare, edhe pse ditën e sotme është parashikuar një mocion me debat mbi raportin e Parlamentit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, tha në Kuvend se Rama e ka detyrim kushtetues që të jetë në sallë, por ai vijon t’i shmanget llogaridhënies.
Kapri tha se do ta pyesë kryeministrin se si do të anëtarësohet Shqipëria në Bashkimin Europian, ashtu siç thotë rezoluta duke mbështetur kriteret e Kopenhagenit, apo siç mendon Rama bashkë me Aleksandër Vuçiç, si anëtarë pa të drejta të plota.
“Prania e kryeministrit në sallë jo vetëm për raportin, është detyrim kushtetues. Edhe në rregulloren e Kuvendit, ne kemi parashikuar që të ketë të mërkurave një seancë pyetje – përgjigje me kryeministrin, por që nuk ka ndodhur kurrë. Kryeministri nuk vjen në këtë Parlament të japë llogari.
Për çështjen e integrimit ka një problem thelbësor. Nëse në draft rezolutë thuhet të mbështesim kriteret e Kopenhagenit, kryeministri ka një mendim të kundërt, mendon bashkë me presidentin e Serbisë, që ne duhet të hyjmë në BE jo si anëtarë me të drejta të plotë.
Ne duam ta pyesim kryeministrin, si do anëtarësohemi në BE. Mungesa e tij në Parlament nuk tregon forcën, pro dobësinë e tij”, tha Kapri.