Ish-ministrja e Macron dënohet për mashtrim fiskal dhe fshehje pasurie

Caroline Cayeux, ish-ministre në qeverinë e presidentit francez Emmanuel Macron, është dënuar për mashtrim fiskal dhe deklarim të rremë të pasurisë personale.

Gjykata e Parisit e shpalli fajtore më 1 prill, ndërsa mediat franceze raportuan vendimin ditën e djeshme. Cayeux u dënua me 10 muaj burg me kusht, gjobë prej 100 mijë eurosh dhe ndalim për dy vite për të kandiduar në Parlament.

Ajo pranoi nëpërmjet një marrëveshjeje me drejtësinë se kishte nënvlerësuar me qëllim pasurinë e saj me rreth 11.7 milionë euro, duke ulur ndjeshëm detyrimet ndaj taksës franceze mbi pasurinë (IFI).

Sipas hetimeve, pasuria e deklaruar nga ish-ministrja ishte rreth 9 milionë euro, ndërsa vlera reale kalonte 20 milionë euro. Një vilë 400 metra katrorë në Dinard ishte deklaruar afro 1.6 milionë euro më pak nga vlera reale, ndërsa një apartament 213 metra katrorë në Paris rezultonte i nënvlerësuar me rreth 2.5 milionë euro.

Caroline Cayeux, ish-kryetare për shumë vite e Bashkisë së Beauvais dhe pjesë e së djathtës tradicionale franceze, iu bashkua qeverisë së Macron në vitin 2022 nën drejtimin e kryeministres Élisabeth Borne. Ajo dha dorëheqjen vetëm pak muaj më vonë, pasi Autoriteti i Lartë për Transparencën në Jetën Publike zbuloi mospërputhjet në deklarimin e pasurisë së saj.

Në atë kohë, Cayeux deklaroi se ishte larguar nga posti “për të qenë e lirë të mbrohej”, duke shtuar se kishte ndjekur vlerësimet e rekomanduara nga këshilltarët e saj tatimorë.

Skandali konsiderohet politikisht i sikletshëm për presidentin Emmanuel Macron, i cili erdhi në pushtet në vitin 2017 me premtimin për “moralizimin” e jetës publike dhe luftën kundër praktikave korruptive në politikë.

Cayeux nuk është figura e vetme pranë Macron që është përballur me probleme të tilla. Sipas organizatave antikorrupsion dhe raportimeve mediatike, të paktën 26 ministra ose zyrtarë të lartë të emëruar gjatë presidencës së Macron kanë qenë objekt hetimesh apo procedurash ligjore.

Mes emrave të përfshirë në skandale të ndryshme përmenden Richard Ferrand, Alexis Kohler, Olivier Dussopt, Rachida Dati, François Bayrou dhe Thierry Solère.

Rasti vjen në një kohë kur qeveria franceze po promovon ligje të reja kundër mashtrimit fiskal dhe social, masa që kritikët thonë se zbatohen më lehtë ndaj qytetarëve të zakonshëm sesa ndaj elitave politike dhe financiare.