Berisha nuk tërhiqet për deklaratat ndaj Gonzatos: Do të denoncoj gjithmonë ato që i konsideroj të padrejta

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish pas kritikave të diplomatëve të Bashkimit Europian lidhur me deklaratat e tij ndaj kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, të cilin e cilësoi si “ambasador të Edi Ramës”.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha deklaroi se u qëndron plotësisht komenteve të bëra dhe theksoi se nuk do të ndalet së denoncuari ato që, sipas tij, janë veprime të padrejta.

“Deklaroj në mënyrë absolute se gjithçka që kam thënë e kam të bazuar në disa burime. Kam respekt e simpati për Komisionin Europian dhe ambasadorët. Nuk më ndalon gjë të denoncoj ato që i konsideroj të padrejta,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se nuk ka dëshirë për polemika, por se nuk mund të pajtohet me ato që i konsideron akte të papranueshme.

“Nuk kam dëshirë të polemizoj, por nuk bie dakord me akte të papranueshme, ndaj i kam denoncuar në vijimësi dhe do t’i denoncoj të vërtetat, nuk i fsheh dot. Ndryshe nuk do të isha ky që jam,” tha kreu demokrat.

Më herët, diplomatët e vendeve të Bashkimit Europian reaguan ndaj deklaratave të Berishës, duke i cilësuar ato si të papranueshme.